Meliha Zimiç. Foto: BIRN

Sarajeva Ime, Një Qytet Tolerance Dhe Rezistence

“Sehen Sie diese Stadt? Das ist Walter!” janë ndoshta të vetmet fjalë që shumica e banorëve të Sarajevës mund të thonë në gjermanisht.

Fraza është nga një skenë nga filmi i vitit 1972 “Uollter mbron Sarajevën”, e shqiptuar kur një oficer gjerman më në fund kupton se pse ai ishte aq i pasuksesshëm në përpjekje për të kapur kreun e rezistencës gjatë pushtimit të Luftës së Dytë Botërore të qytetit, Vladimir “Uollter” Periç.

Gjermanët po ndiqnin Periçin, por i gjithë qyteti ishte në të vërtetë rezistenca, sugjeron fraza – një ide që Meliha Zimiç, një profesoreshë e dalë në pension prej shumë kohe tashme, ende e konsideron të dashur, 72 vjet pasi ajo dëshmoi fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Periç u vra më 6 prill 1945, ditën e çlirimit të qytetit. Një rrugë, një gazetë dhe një film morën emrin e tij – por për banorët e Sarajevës si Zimiç, ai mbetet një simbol i rëndësishëm, i lidhur përgjithmonë me datën që ata e quajnë Dita e Sarajevës ose Dita e Rezistencës.

Periudha e Uollterit

Zimiç, e cila jepte gjuhë dhe letërsi boshnjake, i përshkruan banorët e Sarajevës si “armiq të lindur të fashizmit” dhe ajo është një nga të paktët që qe dëshmitare e kësaj periudhe në historinë e trazuar të qytetit dhe që janë ende në gjendje të flasin për të.

Ajo sjell në mendje kujtimet e saj në shtëpinë e saj në zemër të Sarajevës historike – zona e Basçarshisë – ku ajo ka jetuar gjithë jetën e saj.

Ajo ishte shtatë vjeçe kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore.

“Mbaj mend babanë tim që më çoi diku me një tramvaj dhe unë pashë “të paligjshëm” të varur nëpër shtylla në rrugë nga dritarja,” tha ajo.

Anëtarë të rezistencës nëntokësore ndaj pushtimit nazist në atë kohë njiheshin si të “jashtëligjshëm”.

“Kushte shumë të jashtëligjshëm që u kapen dhe vdiqën në Bentbasa,” tha ajo, duke iu referuar një lagjeje të vogël në anën lindore të qytetit, ku u ekzekutuan njerëz.

“Banorët e Sarajevës ishin vërtet pjesë e një rezistence, armiq të fashizmit,” shtoi ajo.

Ajo kujton të rriturit që vendosnin dyshekët nëpër dritare për të mbrojtur veten, gjithmonë duke pritur beteja rruge.

Dhe me pikëllim të madh, ajo kujton gjithashtu shoqen e saj Klarës, një vajzë hebreje nga lagja me të cilën ajo luante shpesh.

Ndërsa gjermanët rrethonin hebrenjtë dhe i merrnin ata, ajo kujton mamanë e saj që i kërkoi mamasë së shoqes së saj: “Ma lër ta mbaj unë Klarën. Do të kujdesem për të siç kujdesem për Melihanë time..”

Ndërkohë që familja merrte në konsideratë këtë mundësi, gjermanët i morën ata.

“S’kam dëgjuar më kurrë lajme për të,” tha Zimiç, pothuajse duke pëshpëritur.

Ajo kujton me gjallësi çlirimin e Sarajevës nga forcat partizane komuniste të Josip Broz Titos.

“Njerëzit ishin të lumtur kur erdhën partizanët. Të gjithë dolën dhe sollën bukë, çfarëdolloj ushqimesh që kishin. I mbaj mend shumë mirë këngët partizane,” tha ajo.

“Periudhë e artë” e Sarajevës

Pas Luftës së Dytë Botërore, Sarajeva ishte ende një qytet i vogël, që shtrihej nga Basçarshija, lagja e vjetër turke, në Marijin Dvor, pothuajse 2.5 km përgjatë lumit Miljacka. Tani zona e ndërtuar shtrihet për rreth 11 kilometra.

“Ne të gjithë e njihnin njëri-tjetrin, por ishte një komunitet urban,” kujton Zimiç. “Shkonim çdo javë në teatër, kishim kinema, salla kërcimi…”

Ajo kujton me një buzëqeshje vitet e saj si nxënëse në shkollën e mesme të vajzave në qendër të qytetit pranë lumit.

Shkolla e mesme e djemve ishte në anën tjetër të urës Drvenija.

“Drvenija ishte “ura jonë e dashurisë,” pëshpërit ajo.

Gjatë dimrit, të rinj e të moshuar dilnin për të rrëshqitur në çdo të tatëpjetë të qytetit kodrinor, pasi nuk kishte shumë pak trafik.

“Kishte një shkallë të madhe bashkimi. Nëse dikush martohej, të gjithë nga ajo rrugë do të festonin dhe ndihmonin. Edhe nëse dikush kalonte një provim, ne festonim të gjithë së bashku,” tha ajo.

Ajo është një admiruese e madh i liderit jugosllav Josip Broz Tito dhe këmbëngul se qyteti ishte më tolerant gjatë kohës së tij.

“Të gjithë e dinim se kujt feje i përkiste secili, por të gjithë e respektonim këtë. Mezi prisnim çdo festë fetare – duke u emocionuar për vezët e Pashkëve, bakllavanë dhe paratë për festën myslimane të Bajramit,” tha ajo.

Njësoj si shumë të tjerë të rinj myslimanë në Sarajevë, ajo ka marrë pjesë gjithmonë në meshat në mesnate në kishë për Krishtlindje dhe është ende krenar për këtë edhe sot.

“Kjo ishte vlera e vërtetë e Sarajevës,” tha ajo.

Ishte pas Luftës së Dytë Botërore që Sarajeva filloi të zgjerohej me shpejtësi.

Të rinjtë u bashkuan vullnetarisht me të ashtuquajturat “radne akcije”- detaje pune të organizuara nga autoritetet që i bënin të rinjtë të ndihmonin për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave.

Zimiç tha se ajo dhe miqtë e saj ndihmuan në ndërtimin e hekurudhave të tramvajit nga Malta fqinje drejt Ilidzës, shtatë kilometra larg në perëndim.

E vetmja ndërtesë brenda në atë shtrirje fushash ishte një vilë në pronësi të një njeriu të quajtur Cengiç. Kjo pjesë e populluar e qytetit tani quhet Cengiç Vila.

Lagjet si Otoka, Grbavica dhe të tjera në zonën e Qytetit të Ri lindën në vitet 1950 dhe 1960.

Zimiç tha se banorët e Sarajevës ishin të lumtur sa herë që qyteti bënte një tjetër hap përpara – si në rastin kur u hap teleferiku për në malin Trebeviç në fillim të viteve 1960, ose kur u ndërtua qendra e parë tregtare në vitet 1980.

Qyteti ishte sidomos krenar për skenën e tij muzikore në vitet 1960, kujton jo, duke treguar se të rinjtë ishin shumë entuziast për grupet vendase të rrokut si legjendarët “Indexi” – banda e parë nga shumë të tjera që lindi në Sarajevë dhe pushtoi Jugosllavinë.

Në fund të viteve ’70, banorët me arrogancë skenën e tyre muzikore e quajtën Shkolla e rokënrolit në Sarajevë”.

Errësira bie përsëri

Jo shumë kohë pas qyteti pa momentet e tij më të shndritura dhe prezantoi veten në botë si organizator i Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1984, ndodhi më e paimagjinueshmja.

Më 5 prill 1992, njerëz nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina vërshuan në kryeqytet për një tubim paqësor, duke protestuar kundër rritjes së nacionalizmit që kishte pushtuar tashmë republikat jugosllave.

Shumica e boshnjakëve kishin zgjedhur tashmë pavarësinë nga Jugosllavia në një referendum në fund të shkurtit të atij viti, edhe pse votimi ishte i bojkotuar nga serbët e vendit.

Sllovenia dhe Kroacia tashmë ishin ndarë, dhe për myslimanët s’kishte më asnjë kuptim të rrinin në Jugosllavinë e cunguar – tashmë të quajtur boshnjakë – dhe për kroatët e Bosnjës.

Por për shumicën e serbëve të Bosnjës, pavarësia ishte e papranueshme.

Grindjet e përditshme midis politikanëve nacionalistë bënë që mijëra qytetarë tashmë të lodhur të mblidheshin në sheshin kryesor para parlamentit për të protestuar atë ditë.

Paraushtarakët serbë të Bosnjës qëlluan drejt turmës, duke vrarë dy studente, Olga Suciç dhe Suada Dilberoviç, të cilat ishin ndër të parat e më shumë se 100,000 viktimave të luftës në Bosnjë.

Gjatë rrethimit që pasoi, Zimiç kujton sulmet e përditshme me snajper dhe bombardimet, si edhe urinë dhe të ftohtin.

Por njerëzit ende dilnin nga shtëpitë e tyre – askush s’donte të fshihej gjatë të gjithë kohës.

“Ne ende kishim ende përgjegjësitë tona. Unë shkoja në punë për të mësuar fëmijët,” tha ajo.

“Kjo ishte gjithashtu një lloj rezistence. Ne gratë përpiqeshim gjithmonë të vishnim rroba të pastra, edhe pse s’kishte ujë – vetëm për sfidë,” shtoi ajo.

Ajo shpjegoi se midis njerëzve që jetonin në qytet në atë kohë kishte një solidaritet të madh.

Njësoj si të tjerët, ajo vrapo përgjatë asaj që të huajt e quajtën Lugina e Snajperëve për të shmangur të shtënat, një pjesë e bulevardit kryesor që vendasit e quajtën “Lugina e Jetës”.

“Ne prisnim njëri-tjetrin të kalonte përmes rrugicave midis ndërtesave dhe kapeshim pas një litari – në mënyrë që të mund të tërhiqnim njëri-tjetrin nëse ndokush plagosej,” kujton ajo.

Nëse atë ditë në lagje qëllonte vetëm një snajper, vendasit do të llogarisnin kohën midis të shtënave në mënyrë që ta përdornin atë hapësirë kohe për të vrapuar nga njëra anë në tjetrën ndërkohë që personi i armatosur mbushte armën.

Njerëzit që në vitin 1992 s’merrnin vesh nga armët, mësuan të dallonin nga tingulli i shpërthimit nëse arma që kishte qëlluar ishte një 60mm, 90mm ose 120mm dhe se sa larg ishte ajo.

“Shumë nga studentët e mi vdiqën ose u plagosën,” tha Zimiç. “Por në fund ne mbijetuam, sepse edhe në këtë luftë pati një rezistencë të madhe sarajevase”.

Ata që mundeshin i largonin fëmijët nga qyteti, por të moshuarit kryesisht qëndruan.

“Nuk donim t’i linim ata të marshonin drejt Sarajevës dhe ta ndanin siç kishin planifikuar,” tha ajo.

Lufta boshnjake ishte edhe më keq sesa Lufta e Dytë Botërore, këmbënguli ajo.

“Gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të lëvizje më lirshëm,” tha ajo.

Kishte pak ushqim, por njerëzit mund të dilnin jashtë qytetit dhe të sillnin ushqim.

“Megjithatë, në këtë luftë të fundit ishim të gjithë të uritur. Nuk kishte ujë, nuk kishte ushqim… Njerëzit mblidhnin hithra dhe barishte të tjera për të ngrënë. Ata përdornin puse të vjetra, të dëshpëruar për ujë,” risjell në mendje ajo.

Shpirti i Sarajevës

Lufta e la Sarajevën gërmadhë dhe dy dekadat e ardhshme ishin vitet e vinçave të ndërtimit, ndërsa goditjet me çekiç dhe shpimet e tokës jehonin në luginë pothuajse ditë e natë dhe për pasojë qyteti filloi të rritej përsëri.

Por Zimiç nuk e pëlqen një pjesë të arkitekturës së re: “Ata po ngrenë ndërtesa shumë të larta në vende ku s’duhet të jenë. Kullat më të larta se mali Trebeviç. Kjo nuk i përshtatet ambientit të Sarajevës,” ankohet ajo.

Ajo gjithashtu nuk e pëlqen një pjesë të elitës së re të qytetit.

“Janë shfaqur disa njerëz të rinj dhe ata i shërbejnë vetëm vetes. Megalomaniakë që po përpiqen të vërtetojnë vlerën e tyre nëpërmjet parave të tyre,” tha ajo.

“Një grup i padrejtë njerëzisht janë në pushtet dhe ata e bazojnë çdo gjë që bëjnë në ndarjet kombëtare (etnike),” shtoi ajo.

“Kushdo që i gjykon njerëzit bazuar nga kombësia (etnia) ose statusi i tij shoqëror nuk është i mirëpritur mes banorëve të vërtetë të Sarajevës.”

Për të, tragjedia më e madhe e kohëve të fundit është se të rinjtë po largohen shpejt nga qyteti, duke kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër.

“Di që shumë nga fëmijët e miqve të mi jetojnë të gjithë nëpër botë dhe ata dëshirojnë të kthehen. Megjithatë, nuk kthehen dot sepse nuk ka punë,” tha ajo.

E megjithatë, pavarësisht të gjithë kësaj, ajo e dallon që ca nga ai shpirti i Sarajevës që ajo e ka dashur gjithë jetën e saj është ende gjallë.

Ajo e përshkruan atë si një përzierje sinqeriteti dhe ndershmërie, por gjithashtu rezistencë dhe sfidë e gjithçkaje që është e padrejtë.

Ky shpirt përfshin gjithashtu humorin e zi të njohur të Sarajevës, që ajo tha se i kishte ndihmuar njerëzit të përballeshin me vite të vështira.

“Edhe ne qeshim shumë me veten tonë. I bën më të lehta të gjitha,” shpjegoi ajo.

Ajo kujtoi një varg nga një këngë popullore e njohur nga grupi i rrokut nga Sarajeva “Zabranjeno Pusenje”, që përmend një zakon vendas për të vendosur edhe një filxhan bosh rezervë në rast se vjen ndonjë tjetër pa lajmëruar.

“Të gjithë ata që kanë qëllime të mira ka qenë gjithmonë të mirëpritur këtu,” tha ajo.

Por ka diçka që ajo këmbënguli se nuk duhet të lejohet të ndryshojë.

“Nuk dua të jetoj këtu nëse nuk mund të dëgjoj edhe kambana kishe edhe ezanin (thirrja myslimanëve për t’u lutur),” tha ajo. “Sepse kjo është Sarajeva.”