Sami Lushtaku

Sami Lushtaku Para Gjyqit për Arratisjen nga QKUK-ja

Sami Lushtaku, djali i tij Mërgimi aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë e gardianë pritet të dalin sot para gjykatës në lidhje me akuzat për ikjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja në kohën kur kryetari i Skenderajt po gjykohej për krime lufte.

Seanca fillestare e këtij gjykimi ishte caktuar të mbahej më 25 shtator, por u shty ngase atë ditë munguan të akuzuarit Dardan Geci, Myrvete Lushtaku e Skender Tahiri, kurse as seanca tjetër e cila ishte paraparë për 7 nëntor nuk u mbajt për shkak se munguan të akuzuarit Lushtaku e Geci, ndërsa gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të atyre që munguan.

Aktakuza lidhet me arratisjen nga QKUK-ja të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit e Ismet Haxhës, tre të akuzuarve të Grupit Drenica në vitin 2014.

Në seancën e kaluar e cila ishte paraparë që të mbahej me datën 7 nëntor, prokurori i EULEX-it Romulo Mateus kishte kërkuar veçimin e procedurës ndaj të akuzuarve që mungonin, duke e konsideruar si fyerje për drejtësinë shtyrjen e këtij procesi gjyqësor.

Por gjyqtari Shasivar Hoti e kishte refuzuar kërkesën për veçim të procedurës me arsyetimin se në afat shumë të shkurtër do të caktohet seanca e radhës të cilën më pas e caktoi që të mbahej me datën 24 nëntor.

http://kallxo.com/prokurori-fyerje-per-drejtesine-zvarritja-e-gjykimit-per-arratisjen-nga-qkuk/

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë ka edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg

http://kallxo.com/deshton-seanca-per-arratisjen-e-sami-lushtakut-nga-qkuk/

http://kallxo.com/sot-lushtaku-ne-gjyq-per-arratisjen-nga-qkuk-ja/