Salla e Edukatës Fizike Bëhet ‘Pishinë’

Myku dhe uji ka mbuluar atë që do duhej të ishte salla e edukatës fizike në shkollën “Ibrahim Uruqi” në Bresalc të Gjilanit.

Një video e dërguar në KALLXO.com nga një qytetar tregon gjendjen e mjerueshme të sallës së edukatës fizike brenda e jashtë saj.

Drejtori i shkollës, Gafurr Syla, ankohet për rrezikun që kjo sallë të rrëzohet tërësisht.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ibrahim Uruqi”, në fshatin Bresalc të Gjilanit nuk arrin të mbajë orët e edukatës fizike për shkak të sallës jo funksionale që nuk është rregulluar nga komuna që pas vitit 1999.

Drejtori i kësaj shkolle, Gafurr Syla tha për KALLXO.com, se për funksionimin e kësaj salle nuk është ndërmarrë asgjë konkrete ende nga komuna.

“Ne vazhdimisht kemi bërë kërkesë, që prej pasluftës salla ka qenë jo funksionale. Në atë kohë ne kemi intervenuar vetë me mjetet e grumbulluara nga fshatarët dhe e kemi renovuar jashtë, asgjë nuk është ndërmarrë ende nga komuna”, tha Syla për KALLXO.com.

Sipas Sylës, orët mësimore të Edukatës Fizike nuk mbahet në sallë qe disa vite ndërkaq “infrastruktura po mungon edhe për të zhvilluar orën në ambient të hapur”.

“Mësimi nuk mbahet në sallë qe tre katër vite, ka rreziqe nga rrënimi për më tepër ne nuk kemi ndonjë fushë të rregulluar për ta zhvilluar orën as jashtë”, shpjegon ai.

Ndërkaq Drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati tha se është duke u planifikuar renovimi i shkollës në tërësi nga një donator gjerman, por nuk përmendi datë se kur mund të fillojë e të përfundojë renovimi.

“Shkolla ‘Ibrahim Uruqi’ është një prej shkollave që është përzgjedhur për rinovim në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim, një projekt që jemi duke implementuar përfshihet e gjithë shkolla “, tha Kastrati.