Saimir Tahiri Deklarohet i Pafajshëm, Basha Kërkon Arrestimin e Tij

Në një konferencë për shtyp pasdreken e të martës, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vetëdeklarua i pafajshëm pas 24 orësh akuzash për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut të drogës të drejtuar nga kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj në Vlorë.  Opozita kërkoi arrestimin e tij ndërsa Rama u shpreh “i neveritur dhe i shokuar”.

“Tahiri bën 5 milionë euro në muaj, por nuk i mjaftojnë 20 milionë euro për zgjedhje.” Këto fjalë të dala nga goja e Moisi Habilajt, 39 vjeç, rezultojnë të përgjuara nga autoritetet italiane kundër krimit dhe që detyruan ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të dalë në një deklaratë për shtyp plot emocione pasdreken e së martës, për të deklaruar vetveten të pafajshëm ndaj akuzave dhe pa lidhje me të arrestuarit.

Tahiri, 38 vjeç, ka mbajtur postin e deputetit nga viti 2009 dhe atë të Ministrit të Brendshëm për gati katër vjet mes viteve 2013 dhe 2017, duke qenë nga të paktët ministra të brendshëm që e kanë mbajtur postin pothuajse sa një mandat qeverisës përgjatë dy dekadave të fundit.

Sipas tij, komentet e Halibajt të përgjuara nga autoritetet italiane janë “Pallavrat e dy kriminelëve që i mburren njëri-tjetrit se kush ka influencë”.

Tahiri ka qenë vazhdimisht i akuzuar për lidhje me krimin dhe mbrojtje të kriminelëve, veçanërisht në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, por me grupimin kriminal të Habilajve ai ka pranuar se ka pasur edhe lidhje më konkrete.

Tahiri ka pranuar më herët dhe pranoi edhe sot se Habilajve u ka shitur katër vjet më parë makinën e tij personale, makinë që vijoi të mbetej nën emrin e tij pas shitjes. Partia Demokratike në opozitë ka akuzuar në mënyrë të përsëritur se qëllimi i dhënies së makinës së Tahirit te Habilajt ka qenë lehtësimi i qarkullimit të trafikantëve dhe drogës me këtë makinë. Në përpjekje për të ulur sadopak rëndësinë e lidhjeve të tij me të arrestuarin, Tahiri deklaroi se “i ka kushërinj të shkallës së dhjetë” dhe se gabimi më i madh i jetës së tij është që i ka shitur makinën personale atyre pa kryer më parë verifikime.

Arrestime në Itali

Në maj 2015, policia shqiptare njoftoi se kishte vënë nën ndjekje penale një punonjës të vetin, shtetasin Dritan Zagani, të akuzuar për moskallëzim krimi në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.  Zagani, 41 vjeç, pati qenë drejtues i seksionit të luftës kundër narkotikëve në policinë e Fierit. Ai arriti të arratisej nga Shqipëria pak muaj më vonë dhe kërkoi strehim politik në Zvicër. Nga Zvicra ai bëri disa deklarata publike, në të cilat akuzoi Saimir Tahirin, në atë kohë, Ministër i Brendshëm i qeverisë socialiste, për lidhje me krimin e organizuar, konkretisht me disa vëllezër, mes të cilëve, Moisi e Florian Habilaj, të cilët në atë kohë dyshoheshin për trafik lëndësh narkotike.

Opozita akuzoi vazhdimisht Tahirin në atë kohë për lidhje me krimin, përfshirë vënien në dispozicion të një makine nën pronësinë e tij, me targë AA003GB, për të cilën Zagani dhe opozita pretendonin se qe përdorur për të transportuar lëndët narkoktike.

Gjithçka mbeti në nivelin e akuzave politike deri më 16 tetor 2017, kur media në ishullin e Sicilisë në Itali njoftoi arrestimin e 11 personave, italianë e shqiptarë, të dyshuar për kontrabandë të sasive të stërmëdha të drogës. Mes të arrestuarve qe.

Meridionews.it, një publikim në internet me bazë në Sicili, njoftoi sot (17 tetor) se dispononte informacion se gjatë përgjimeve të Guardia di Finanza rezulton të jetë përmendur edhe emri i Tahirit si përfitues i një shume prej 30 mijë eurosh si dhe kontrolli që kjo organizatë kriminale kishte mbi policinë. Në një bisedë, Moisi Habilaj raportohet të ketë thënë “Tridhjetë mijë duhet t’ia dërgoj Saimirit”,  si dhe në Shqipëri policia është e korruptuar, shefi i policisë mund të të ndihmojë të ngarkosh çantat me drogë.

Dosja e plotë e aktivitetit kriminal të Habilajve mësohet se mbart gjithashtu komente edhe më pikante se sa kaq, përfshirë një bisedë të dhjetorit 2013, kur Tahiri kishte pak muaj që qe bërë ministër, bisedë në të cilën Moisi Habilaj komentonte se Tahirit nuk i mjaftojnë 20 milionë euro për një fushatë elektorale.

Gjithsej në Itali u arrestuan 11 persona, ndësa autoritetet italiane vlerësojnë se kjo organizatë kriminale ka qenë në gjendje të trafikojë mbi 3500 kilogramë marijuanë.

Kreu i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha deklaroi mëngjesin e të martës se “Edi Rama i ka faktet në tavolinë” dhe se Tahiri sipas mendimit të tij, duhej të arrestohej. Demokratët, të cilët pësuan rezultatin më të keq elektoral në dy dekada në zgjedhjet e qershorit të kaluar, kanë akuzuar Partinë Socialiste vazhdimisht se arriti t’i fitojë zgjedhjet duke përdorur grupe kriminale.

Edi Rama nga ana e vet deklaroi se ndjehej “i neveritur dhe i shokuar” nga biseda e përgjuar dhe se kërkonte zbardhjen e së vërtetës sa më parë.

“Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës,” deklaroi Rama në Facebook.

Marrë nga Reporter.al