Ukë Rugova

Sa Vjet Burg Rrezikon Ukë Rugova?

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick e ngarkon djalin e ish-Presidentit të vendit Ibrahim Rugova me veprën penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të kontrabandimit të emigrantëve,

Kjo vepër është e përcaktuar me Kodin Penal të Kosovës, më saktësisht në paragrafin 2 të nenit 170, dhe dënimi i paraparë për këtë vepër është së paku 10 vjet burg.

Gjithashtu, për këtë vepër është paraparë gjoba prej 500 mijë euro.

KALLXO.com ka siguruar pjesë të aktakuzës së ngritur më 18 maj në të cilën Ukë Rugova akuzohet se nga maji i vitit 2011 deri në shkurt 2014 ka krijuar, organizuar, mbikëqyrur e menaxhuar aktivitetet e grupit kriminal.

Në periudhën për të cilën akuzohet, Ukë Rugova ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur në listën e kandidatëve për deputetë të AAK-së ndërsa më vonë u bë pjesë e grupit parlamentar të AKR-së.

Sipas prokurorisë, qëllimi i këtij grupi ka qenë të sigurojë përfitim material duke furnizuar individë me viza Shëngen nga ambasada italiane në Prishtinë, viza të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme përmes shtrembërimit dhe korrupsionit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe 19 persona të tjerë.

Më herët, KALLXO.com raportoi se gjatë kontrollit të realizuar në maj të vitit 2014, policia kishte gjetur dy armë në rezidencën e Ukë Rugovës në lagjen Velania të Prishtinës.

http://kallxo.com/ne-shtepine-e-uke-rugoves-u-gjeten-arme/