Nëndetësja e zhdukur argjentinase - Foto: REL

Rusia Ofron Ndihmë për Gjetjen e Nëndetëses së Argjentinës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ofroi presidentit të Argjentinës ndihmë në gjetjen e një nëndetëseje, e cila është zhdukur në Atlantikun Jugor një javë më parë, me 44 pjesëtarë të ekuipazhit në bord.

Ministria e Jashtme e Argjentinës tha se Rusia ka propozuar dërgimin e një anije të teknologjisë së lartë për të ndihmuar operacionet e kërkimit dhe se presidenti argjentinas, Mauricio Macri, e ka mirëpritur ndihmën.

Argjentina po ashtu po merr ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Spanja, Franca, Norvegjia, Peruja, Mbretëria e Bashkuar dhe Uruguaji.

Shpresat për gjetjen e anëtarëve të ekuipazhit të gjallë janë zbehur më 22 nëntor, kur zyrtarët kanë thënë se nëndetësja ARA San Juan, e cila është zhdukur më 15 nëntor, ka pasur oksigjen të mjaftueshëm për ekuipazhin në bord vetëm për shtatë ditë.

“Jemi në një situatë shumë të rrezikshme dhe ajo po përkeqësohet”, tha zëdhënësi i Marinës argjentinase, Enrique Balbi.

Flota e Argjentinës nuk ka qenë në gjendje të lokalizojë nëndetësen kur ajo ka raportuar probleme mekanike, në komunikimin e fundit para zhdukjes. (REL)