Foto-ilustrim

Rusia ia Kufizon SHBA-së Fluturimet e Zbulimit mbi Territorin e Saj

Rusia po planifikon që t’ua kufizojë SHBA-ve fluturimet ushtarake të zbulimit në territorin rus, të parapara me Traktatin për Qiej të Hapur.

Ky plan vjen si përgjigje ndaj vendimit të Uashingtonit për të kufizuar fluturimet ruse në territorin e SHBA-ve, kanë njoftuar agjencitë e lajmeve ruse.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari.

Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, citon një zyrtar të Ministrisë së Jashtme ruse, Georgiy Borisenko, që thotë se me ketë vendim, Rusia do t’ia ngushtojë hapësirën e fluturimeve të SHBA-ve, duke ia ndaluar përdorimin e disa bazave ajrore ruse.

Traktati për Qiej të Hapur është nënshkruar në vitin 1992 dhe ka qenë një nga marrëveshjet për kontrollin ndaj armëve të nënshkruara me qëllim që të forcohet besimi dhe transparenca, në kohën kur marrëdhëniet mes superfuqive nukleare ishin përmirësuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Por, në qershor, Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për shkelje të këtij traktati kur ndaluan fluturimet amerikane mbi Kaliningrad dhe thanë se si përgjigje, do t’i kufizojnë disa fluturime ruse mbi territorin e ShBA-ve duke filluar nga 1 janari.

Kaliningradi është një nga rajonet më të militarizuara të Rusisë, ku ndodhen Flota Baltike dhe raketa me rreze të shkurtëra të vendousra si përgjigje ndaj sistemit mbrojtës raketor të ShBA-ve.

Duke u ankuar ndaj kufizimeve lidhur me fluturimet mbi Kaliningrad, mediat amerikane kishin raportuar se SHBA-të vendosën kufizime ndaj misioneve ruse për fluturime mbi Alaskë dhe Havai, ku ndodhet baza amerikane e Flotës së Pacifikut.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se ata do t’i shfuqizonin këto masa “nëse Rusia rifillon që të veprojë në pajtim me obligimet e Traktatit për Qiej të Hapur”.