Vladimir Putin, President i Rusisë. Foto: Beta

Rusia: Gatishmëri për Bisedime me SHBA-të për Armatim

Deklarata e sotme e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, përputhet me 30 vjetorin e Marrëveshjes për Forcat Atomike me Rreze të Mesme Veprimi (INF), që e eliminon një kategori të tërë të raketave balistike dhe të atyre me fluturim të ulët në Evropë dhe për krijimin e kornizës verifikuese për ta siguruar zbatimin e saj.

Uashingtoni e ka akuzuar Moskën se e ka shkelur këtë marrëveshje, e cila gjerësisht shihet si pajtueshmëri bazë për kontrollin e armatimit SHBA – Rusi.

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit tha muajin e kaluar se Rusia e ka zhvilluar një raketë atomike të fluturimit të ulët, që paraqet “shkelje të qartë” të marrëveshjes INF.

Po ashtu, muajin e kaluar, sekretari i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, James Mattis, tha se “shumë” shtete anëtare të NATO-s, i kanë dëshmitë e veta se Rusia nuk bashkëpunon me këtë marrëveshje.

Në deklaratën e sotme, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Moska mbetet “fuqishëm” në favor të respektimit të marrëveshjes dhe e ka kritikuar atë që e ka quajtur “gjuhë të ultimatumeve” nga ana e Uashingtonit dhe përpjekjet amerikane për t’i bërë presion Moskës me sanksione.