Ilustrim: Foto: Romgaz.ro

Rumania në Festë pas Zbulimit të Rezervës Gjigante të Gazit

Kompania energjetike rumune “Romgaz” ka përuruar depozitën më të madhe të zbuluar në tre dekada në tokën rumune me pjesëmarrjen e kryeministrit Sorin Grindeanu dhe kreun e partisë socialdemokrate në pushtet Liviu Dragnea.

“Romgaz”, kompania më fitimprurëse shtetërore, njoftoi zbulimin e depozitës që vlerësohet se mban 150-170 milionë boe – fuçi ekuivalente të naftës – në Karagea, konteja Buzau, verilindje e Bukureshtit në qershor 2016.

Depozita e re pritet të përmirësojë perspektivën e kompanisë pasi fitimet e saj neto ranë më 2016 me 14 për qind, për shkak të importeve më të larta, kërkesës më të ulët për gaz në sektorët kyçë dhe një rënie botërore e çmimeve të gazit.

Prodhimi ra gjithashtu me 25 për qind ndërsa shitjet ranë me 17 për qind.

Kompania e gazit, bashkë me kompaninë austriake “OMV Petrom”, kontrollojnë pothuajse të gjithë prodhimin e gazit në Rumani. Sipas “Romgaz”, kompania do të vijojë të eksplorojë shtatë vende të tjera në tokë.

“OMV Petrom”, prodhuesi më i madh i gazit dhe naftës në Europën Juglindore, bashkë me kompaninë “Romanian Hunt Oil” filluan gjithashtu vitin e kaluar shfrytëzimin eksperimental të një depozite gazi e cila gjendet gjithashtu në rajonin Buzau, ku janë investuar 17 milionë euro.

Përgjatë viteve të ardhshme, Rumania pritet të fillojë shfrytëzimin e gazit edhe në dy vende në Detin e Zi. “Black Sea Oil&Gas”, një kompani me bazë në Rumani pritet të fillojë shfrytëzimin komercial më 2018. Kompania amerikane “Exxon” dhe kompania më e madhe rumune “OMV Petrom” do të pasojnë më 2020.

Për të lehtësuar nxjerrjen e gazit natyror nga Deti i Zi, vendi do të fillojë edhe ndërtimin e BRUA (Bullgari-Rumani-Hungari-Austri), një projekt gazsjellësi punimet për të cilin do të nisin në fund të vitit. Punimet pritet të përfundojnë më 2019.

Sipas ministrit të Energjisë Toma Petcu, sapo të fillojë shfrytëzimi i burimeve në det, Rumania mund të bëhet një lojtar rajonal në sektorin e energjisë. Rumania zë gati 80 për qind të të gjithë gazit natyror të prodhuar në Europën Juglindore.