Radu Mazare. Foto: Dan Avraham/Wikimedia commons.

Rumania Kërkon Ekstradimin e Ish-kryetarit të Kostancës nga Madagaskari

Prokurorët e Rumanisë pritet të nisin procedurën e ekstradimit për një ish-kryebashkiak të dënuar për korrupsion, i cili shmangu paraqitjen në polici më 30 dhjetor dhe iku në Madagaskar.

Radu Mazare, ish-kryebashkiak i portit të Kostancës në Detin e Zi, u dënua me kusht më mes të vitit të kaluar pasi shiti dhjetëra kilometra plazhe publike te biznesmenë të ndryshëm. Ky u konsiderua si gjykimi më i gjatë kundër korrupsionit në Rumani, pasi procesi vijoi për nëntë vjet.

Sipas prokurorëve, dëmet e veprës së tij ishin 114 milionë euro. Edhe 36 njerëz të tjerë, biznesmenë dhe ish-zyrtarë publikë u dënuan në të njëjtin rast.

Mazare e apeloi dënimin dhe u vendos nën mbikëqyrje gjyqësore në pritje të apelit; një herë në javë ai detyrohej të paraqitej te oficeri i dënimit me kusht.

Gjithsesi, më 30 dhjetor, ai e humbi këtë takim. Kur policia telefonoi, ai zbuloi se gjendej në Madagaskar, ku kishte në plan të aplikonte për azil politik.

Prokurorët antikorrupsion dorëzuan një kërkesë për arrestimin e Mazare.

Avokati i tij, Tiberiu Barbacioru tha të dielën se prania e Mazare nuk ishte e nevojshme për apelimin, kështu që ai beson se gjykata do ta hedhë poshtë kërkesën e prokurorëve.

“Mazare është hetuar, ai ishte i pranishëm gjatë gjykimit, dorëzoi të gjitha provat dhe shumica e provave u pranua. Prania e tij si person nuk mund të ndihmojë në kurrfarëlloj mënyre përshpejtimin e gjykimit,” tha avokati.

Mazare tha në një letër të hapur të dërguar te gazetari rumun Victor Ciutacu, një mik, se ai ndjehej viktimë e interesave politike.

“Mënyra se si shteti rumun… po heton në mënyrë abuzive ndaj meje provon se unë jam ende një shënjestër politike e ‘shtetit paralel,’” tha Mazare në email.

Mazare është një nga politikanët më të pasur në Rumani, me pasuri të vlerësuar në 8 miliardë euro. Ai ka nën pronësi një resort sërfi në Madagaskar, ku ai ka bërë pazar me një fis vendës që i dha atij tokë për 99 vjet me një çmim prej 1 euroje për metër katror, sipas deklarimit të tij publik të pasurisë.

Një ish-gazetar që themeloi shumë publikime rajonale, Mazare u zgjodh fillimisht kryebashkiak i Kostancës në vitin 2000 si i pavarur, por u bashkua më vonë me Partinë Social Demokrate, PSD, më 2003 dhe u rizgjodh me shumicë komode më 2004, 2008 dhe 2012.

Ai dha dorëheqjen më 2015 pas akuzave për korrupsion, duke thënë se ishte nën stres të padurueshëm për shkak të “hetimeve të motivuara politikisht”.

Ai mori nofkën “baron lokal”, një nofkë që media e përdor për shumë anëtarë të pasur të PSD-së, të cilët kontrolluan administratën publike në rajone të ndryshme të Rumanisë.

Asetet e tij u ngrinë më 2014 gjatë një hetimi antikorrupsion. Më 2015, ai u akuzua gjithashtu për nënraportimin e çmimit të shitjes për kazinonë e Kostancës, dizenjuar si një monument historik.

Mazare njihet gjithashtu për veshjet e tij të çuditshme dhe për gafat. Më 2009 ai u shfaq në faqet e para pasi shkoi në një spektakël mode i veshur me një uniformë të Vermahtit bashkë me djalin e tij, i cili gjithashtu mbante një uniformë naziste.

Ai shpjegoi se “gjithmonë e kishte pëlqyer këtë uniformë dhe admironte organizimin rigoroz të ushtrisë gjermane”.

Dy ditë më vonë, ai kërkoi ndjesë te organizatat hebraike, duke deklaruar se veshja e uniformës prej tij synonte vetëm për të nderuar kujtimin e Claus von Stauffenberg, anëtarit udhëheqës të një komploti të dështuar për vrasjen e Adolf Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ish-kryebashkiaku humbi gjithashtu në një gjyq për shpifje përballë një të mbijetuari të revolucionit të vitit 1989 të cilin ai e quajti lypës ndërsa shkaktoi zemërim të mëtejshëm publik kur pranoi se truprojat e tij kishin rrahur një lojtar futbolli nga Tunizia në gusht 2013. (Reporter.al)