Foto: Ovidiu Rom

Rumania Dëshiron më Shumë Fëmijë të Varfër Nëpër Çerdhe

Costi është një djalë i hollë, pesë-vjeçar por llafazan, i cili ndihet krenar që mund të numërojë deri në 20. Ai tha se këtë e mësoi vetëm për shkak se mori pjesë në kopsht fëmijësh në Potligi, një fshat i varfër dhe i shkatërruar në jug të Rumanisë.

Familja e tij, përfshirë edhe katër vëllezërit e motrat e tjerë, jetojnë me ndihmë sociale, si shumë  njerëz të tjerë në fshat. Asnjëri nga prindërit e tij nuk kanë një punë të qëndrueshme.

Costi është duke u ndihmuar financiarisht prindërve të tij, pasi që ata marrin nga një kupton prej 12 eurosh çdo muaj pasi që e dërgojnë Costin rregullisht në kopsht.

Ndihma vjen nga një organizatë qytetare “Ovidiu Ro” e cila filloi programin e tyre në vitin 2010, me mbështetjen e shumë donatorëve individualë dhe disa kompanive. Deri më tani janë ndihmuar mbi 2.600 fëmijë nga 45 komunitete të varfra në të gjithë Rumaninë.

“Sa i përket arsimit është për t’u shqetësuar, kopshti është themeli. Ne duam t’u ofrojmë të gjithë fëmijëve të njëjtën mundësi që të kenë suksese në shkollë”, tha Maria Gheorgahiu, një specialiste e arsimit e cila ishte pjesë e themelimit të Ovidiu Ro së bashku me Leslie Haëke, nënën e aktorit Ethan Hawke.

Kopshti ka bërë një dyfishim të regjistrimit për të gjitha komunitetet që janë të përfshira, sipas Ovidiu Ro.

Duke parë rezultatet, qeveria rumune ka vendosur ta rifillojë programin duke filluar nga mesi i shkurtit, duke financuar një program social të quajtur “Every Child in Kindergarden” (Çdo fëmijë në kopsht).

Rreth 55.5 milionë lei ose 12.2 milionë euro do të ndahen vetëm gjatë këtij viti për familjet e varfra në të gjithë vendin, për t’i inkurajuar ata që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopsht.

Programi ofron çdo muaj kuponë me vlerë 50 lei për çdo fëmijë të moshës 3-6 që vjen nga një familje me të ardhura mujore më të ulëta se 284 lei.

Kuponët mund të përdoren për të blerë ushqim, rroba, lodra apo mjete shkollore, produkte të cilat do të ndihmojnë këta fëmijë të shkojnë në kopshtin e fëmijëve.

“Ne vlerësojmë se mbi 110,000 fëmijë do të përfitojnë nga ky program, por vetëm nëse ata me të vërtetë marrin pjesë në çerdhe. Ne jemi të sigurt që të dhënat e frekuentimit do të rriten në mënyrë të konsiderueshme,” tha zëdhënësi i qeverisë Dan Suciu.

Rumania ka normën më të lartë të fëmijëve nën moshën 17 vjeçe në Bashkimin Evropian “në rrezik nga varfëria apo përjashtimi social”- rreth 51%, sipas Zyrës Evropiane të Statistikave. Kjo krahasohet me 27% e BE si tërësi.

Sipas disa të dhënave zyrtare varfëria është arsyeja kryesore për shkallën e lartë të braktisjes  së shkollës në Rumani.