Ibrahim Rugova në krye të një delegacioni të Kosovës në Uashington, më 1990.

Rugova në Sytë e Dy Ish-Bashkëpunëtorëve të Tij

Sot janë bërë 12 vjet prej vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Rugova kishte vdekur në gjysmë të bisedimeve të Vjenës për statusin final të Kosovës, të cilat 2 vjet e 1 muaj pas vdekjes së tij, u konkretizuan me shpalljen e Pavarësisë.

Ibrahim Rugova vuante nga sëmundja e kancerit.

Sot gjatë ditës, në 12 vjetorin e vdekjes së tij, shumë qytetarë e personalitete të ndryshme kanë bërë homazhe te varri i tij në Prishtinë.

KALLXO.com ka biseduar me dy nga ish-bashkëpunëtorët më të afërt të dikurshëm të Ibrahim Rugovës.

Një nga njerëzit më të afërt të Rugovës, Adnan Merovci, tha për KALLXO.com se ish-presidenti e ka përfunduar misionin e tij prej politikani.

“Mendoj që Rugova e ka përfundu misionin e tij dhe ai ka kryer atë që i ka takuar, ka arritur që të kryejë atë çka duhej në kohë dhe vend të duhur, mendoj që pak edhe herët pasi i ka pasur idetë shumë të avancuara, na duhet neve me punu për me u avancu”, tha Merovci për KALLXO.com.

Sipas tij, Rugova nuk ka qenë vetëm i LDK-së. Popullariteti i tij, sipas ish-truprojës së presidentit historik, i ka kaluar edhe barrierat e regjionit.

“Rugova me kalimin e kohës po shihet se ka qenë një njeri i familjes së tij, mëhallës së tij, shtetit, vendit, definitivisht i ka shpërthye edhe barrierat e regjionit”, tha Merovci duke shtuar që Rugova arriti të mbajnë shkollimin dhe shëndetësinë gjallë në kohëra të vështira.

Ndërsa njëri nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të Ibrahim Rugovës në themelimin e partisë është edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili së fundi botoi edhe librin, “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”. Ai e cilëson Rugovën si ideator të pavarësisë së Kosovës.

“Rugova mbetet një njeri që ka qenë ideator i Pavarësisë Kosovës dhe kjo është merita më e madhe e trashëgimisë politike të tij”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ndërsa Merovci e ka krahasuar Rugovën edhe me figura kombëtare si Skënderbeu e Hasan Prishtina.

“Zbërthimin e figurës së tij do ta bëjnë dijetarët e ardhshëm, pasi ai njeri arriti që me armën e tij, atë të ndërkombëtarizmit të Kosovës, të jemi të pranuar gjithandej dhe ju po e shihni sot kur e kem shtetin se sa vështirë është të jemi të pranuar. Puna e tij ka bërë që ai të jetë një figurë që për ne mund të shquhet si një ndër figurat si Skënderbeu, Nëna Tereza, Hasan Prishtina e Adem Demaçi”, tha mes të tjerash Merovci.

Sot, Rugovën e ka nderuar duke i bërë homazhe edhe kundërshtari i tij më i madh i dikurshëm, që tani është pasardhës i pozitës së tij, Hashim Thaçi. Ai ka shkruar që do ta kujtojnë si presidentin e parë të Kosovës, ani pse në të kaluarën marrëdhënies mes tyre s’kanë qenë fare të mira.

Duke folur për nderimin që po i bëhet sot Rugovës nga kundërshtarët e tij politik të dikurshëm, Merovci thotë se figura e Rugovës është aq e madhe sa secilit i takon nga pak.

“Ibrahim Rugova ka qenë dhe mbetet një figurë e madhe, duke qenë si e tillë mund të ketë pasur kundërshtar. Figura e Rugovës edhe me kohën ka dëshmuar që është gjithëpërfshirës dhe secilës i takon nga një pjesë”, thotë ai.

Në 12 vjetorin e vdekjes, te varri i Rugovës ka bërë homazhe edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinajn presidenti Rugova e kishte “shpërblyer” me postin e kryeministrit në dhjetor 2004, në kohën kur AAK kishte fituar numër të vogël të deputetëve.

Ndërsa, Milazim Krasniqi edhe pse e vlerëson si një traditë të mirë respektimin institucional të figurave shtetërore, kur flet për motivet e këtyre homazheve thotë se ato janë pjesë e hipokrizisë politike.

“Lidhur me motivet që ata po e bëjnë besoj që janë pjesë e hipokrizisë politike, pjesë e marketingut politik, pjesë e lojërave politike por po them më mirë është gradualisht po krijohet kjo tradita e respektimit institucional por motivet dhe qëllimet e secilit janë pjesë e fshehte e karaktereve njerëzore dhe si të tilla janë zor të komentueshme”, tha në mes tjerash Krasniqi.

Përveç Haradinajt e Thaçit, Rugovën e kanë nderuar edhe anëtarësia e LDK-së.

Ndërsazëvendës kryeministri Behgjet Pacolli ka shkruar në Facebook se Kosova nuk e ka një politikan si Rugova.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë besoj në historinë e afërt të Kosovës, udhëheqës politik i cili të ketë lenë pas një ideologji, një rrymë mendimi dhe veprimi, që mban emrin e vet. Nuk ka një të dytë. Nëse ju dini dikënd tjetër, ma thoni”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Ndërsa kreu i legjislativit, Kadri Veseli nuk është deklaruar fare për 12 vjetorin e vdekjes së Rugovës.

E Merovci kujton që shpeshherë Rugovës kundër i kanë dalë edhe njerëzit që janë cilësuar si të afërm të tij.

“Shpeshherë është shndërruar në një mënyrë, ai vetëm dhe të gjithë kundër tij”, shtoi Merovci.

Ndërsa duke folur figurën e Rugovës, Milazim Krasniqi thotë se e sheh atë si njeri modest që më shumë ka qenë një vizionar se sa një politikan pragmatik.

“Rugova ka qenë njeri modest dhe vizionar në projeksionet politike, ka pasur një orientim strategjikisht shumë preciz lidhur me aleatët dhe lidhur me armiqtë e shqiptarëve që do të thotë se kurrë nuk ka pasur dilema në përcaktime strategjike, ndërsa si politikan nuk ka qenë shumë pragmatik, gjithmonë ka lëvizur nën presion të ngjarjeve ose të faktorëve, përndryshe po them se ma shumë ka qenë një vizionar sesa një politikan pragmatik”, tha Krasniqi

Duke folur për Rugovën si politikan para luftës dhe Rugovën si politikan të pasluftës, Krasniqi sheh dallime të mëdha në këto periudha të ndryshme kohore.

“Mendoj se para luftës ka qenë një politikan vizionar me krijimin e partnerëve dhe aleatëve strategjikë. Fatkeqësisht pas luftës ka qenë një Rugovë tjetër, ndoshta për shkak të trashëgimisë së hidhur në kohë të bombardimeve kur u zu peng nga Millosheviqi dhe u terrorizua brutalisht nga ai, pastaj dhe të agresivitetit të kundërshtarëve politikë. Ai u mbyll në vete dhe krijoi një lloj fanatizmi politik refuzues dhe ajo ka pasur reflektim në vetë skenën politike dhe sot për mua është ende e paqartë se si është e mundur që LDK si një lëvizje madhështore politike nuk mori përgjegjësi ma shumë për ndërtimin e Kosovës”, shtoi Krasniqi për KALLXO.com.

Rugova kishte qenë bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i saj që nga themelimi deri në vdekjen e tij në janar të 2006.

Përveç që kishte qenë president i vendit, ai para se të formohej LDK-ja ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.