Konferenca - RrGK: "Mjafte me fjale, duam vepra"

Rugova: Mjaft më Dhunë, Mjaft më Fjalë, Duam Vepra

Rrjeti i Grave të Kosovës lansoi sot raportin mbi monitorimin e reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë.

Ky raport i titulluar “Nga Fjalët në Vepra?”, ka treguar për gjetjet e monitorimit dhe shkeljet ligjore nga institucionet përkatëse të cilët trajtojnë dhunën në familje, si dhe rekomandimet të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e trajtimit të rasteve të kësaj natyre.

Igballe Rugova, nga Rrjeti i Grave tha se ka patur progres në krijimin e institucioneve, por ka ngecje në praktikë.

“Në 2004 kur kemi dalë në protesta për të kërkuar ligj kundër dhunës në familje, qeveria na tha se nuk ka dhunë në Kosovë, u dashtë të bëjmë një raport me titullin ‘Siguria Fillon në Shtëpi’. Nga ajo kohë kemi parë edhe progres sepse u bë ligji, më pas strategjia, më pas në 2016 u bë strategjia e dytë. Kemi progres institucional e progres të mekanizmave që luftojnë dhunën në familje, por nuk kemi zbatim”, tha Rugova.

Rugova kërkoi që me Kodin e Ri Penal, dhuna në familje të cilësohet si krim.

Në bashkëpunim me BIRN, Rugova theksoi se kanë pasur mjaft të gjetura përmes së cilave është vërtetuar joserioziteti i institucioneve përkatëse

“Ne nuk duam më fjalë, po duam vepra, për këtë arsye edhe kemi bashkëpunuar me BIRN. Së bashku me Rrjetin, BIRN ka monitoruar shkeljet gjyqësore. Aty kemi pa joseriozitet, dhe ky joseriozitet ka sjellë jo vetëm dhunë në familje, por dhunuesit kanë marrë jetën e grave të tyre në shtëpitë e tyre, por edhe jashtë në rrugë. Me të vërtetë është koha që të zbatojmë këto mekanizma, e t`u themi dhunuesve që nuk do të kalojnë lehtë dënimet në gjykatë. Kjo është arsyeja që kemi thënë se dhuna në familje është krim. Kodi Penal të amandamentohet dhe me kërkesën tonë dhuna në familje të konsiderohet si krim”, tha Rugova.

Naim Qelaj, zëvendës ministër i Drejtësisë dhe Koordinator Kombëtar mbi Dhunën në Familje, tha se raporti në fjalë do t’i shërbejë shumë në të ardhmen dhe do ta ketë parasysh gjatë punës së tij.

“Jam i interesuar dhe kam kërkuar nga të gjitha institucionet relevante në raport me zbatimin e strategjisë ndërkombëtare në raport me dhunën në familje. Falë aktivizmit politik, aktivizmit të RrGk- së dhe OJQ- ve të tjera Kosova ka arritur që të ketë legjislacion të qëndrueshëm. Dhuna sanksionohet, të gjitha institucionet e involvuara si policia, prokuroria dhe gjykata janë në nivel të detyrës pavarësisht vërejtjeve të OJQ- ve, të cilat kanë qëllime të mira. Mua raporti do të më shërbejë në punën time, raporti juaj është specifik, i detajuar, gjithëpërfshirës dhe janë tema të cilat do t`i kem prioritet në të ardhmen dhe shpresoj se do të ndikojë për të mirë”, tha Qelaj.

Në anën tjetër, zëvendës kryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina, tha se së shpejti do të bëhet caktimi i prokurorëve të specializuar në këtë fushë, që do të merren vetëm me rastet në dhunën në familje.

Biljana Rexhiq nga KGjK, tha se e vlerëson shumë raportin e hulumtuesve të BIRN-it dhe RrGK-së.

“Çdo gjë që është pozitive fillon nga Rrjeti i Grave. I vlerësoj shumë edhe gazetarët hulumtues të BIRN. Jam vet e monitoruar nga ta. Të gjeturat dhe rekomandimet e gazetarëve të BIRN dhe RrGK janë të analizuara thelbësisht dhe duhet të jenë për ne një udhërrëfyes për parandalimin për dhunën ndaj grave, në parim të dhunës në familje”, the Rexhiq.

Kjo iniciativë e RrGK-së është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim.