Foto: Atdhe Mulla

Ruairi O’Connell Tregon Nëse do të Vazhdojë Projekti për Rekrutimet në Institucionet e Kosovës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, bëri thirrje që institucionet e Kosovës ta çrrënjosin kulturën e nepotizmit kur është fjala për punësimet në pozita të larta të stafit civil.

Në një konferencë në të cilën është folur për këto çështje, diplomati britanik tha se viteve të kaluara, në institucipnet e Kosovës ka ekzistuar një kulturë, siç u shpreh ai, jo e shëndoshë në punësime.

“Kemi parë kultura që ka qenë përpara, ka qenë jo e shëndoshë, në baza partiake e personale. Ka pasur njerëz të mirë. Ka njerëz të mirë edhe me lidhje partiake e personale por gjithashtu ka njerëz të mirë që janë punësuar në bazë të meritës, por kjo nuk ka qenë kulturë normale”, tha O’Connell.

Në vitin 2015, ambasada britanike dhe institucionet e Kosovës nënshkruan një memorandum me të cilin britanikët janë bërë pjesë në përzgjedhjen e stafit në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil të Kosovës.

Më shumë se dy vjet më pas, ambasadori britanik lë të kuptohet se nuk ka pasur iluzione për rezultatet.

“E kemi ditur prej fillimit që ndryshimi nuk vjen për një natë”, tha ai.

Por, ai thotë se javëve të fundit ka pasur raste që institucionet e Kosovës nuk e kanë respektuar memorandumin, si pjesë e projektit të drejtuar nga ambasada që ai e drejton.

“Unë nuk besoj që qytetarët e Kosovës kanë besuar që me një projekt ndryshohet çdo gjë. Askush nuk ka besuar. Me këtë projekt ka pasur raste të mira që janë përmendur, edhe ka pasur raste që nuk është respektuar projekti, sidomos gjatë javëve të fundit”, tha ai.

http://kallxo.com/rrefimi-ambasadorit-per-zyrtarin-e-larte-qe-nuk-dinte-ta-perdore-emailin/

Por Ruairi O’Connell tha se ka pasur edhe raste pozitive.

“Dy procese në Ministrinë e Drejtësisë, edhe pse janë shumë të ndjeshme, shkojmë në drejtim të duhur”, tha ai.

Tani që ky projekt po shkon drejt fundit, pyetja mbetet nëse drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe ambasada britanike do të arrijnë ujdi për vazhdimin e saj.

Ruairi O’Connell mendon se kjo mund të ndodhë, por jo pa u dëshmuar në rezultate.

“Për mua, nuk dua të rekomandoj që të harxhohen kot paratë e tatimpaguesve britanikë. Por mendoj se ky projekt do të ishte shumë i rëndësishëm sepse sidomos dy kultura në Kosovë janë shumë të dëmshme: e nepotizmit dhe e pandëshkueshmërisë”, tha ai.

http://kallxo.com/kadri-veseli-rekrutimi-stafit-te-larte-ka-pasur-veshtiresi-e-mungese-kredibiliteti/

“Ky projekt nuk ka të bëjë me kulturën tjetër, por mendoj se me nepotizmin mund të ketë rezultate, por do të ketë rezultate vetëm nëse ka vullnet politik. Kjo është diçka që unë nuk do të vlerësoj por lus shoqërinë civile dhe qytetarët që të vlerësojnë, të mendojnë dhe të reflektojnë për qeverinë a ka bërë mirë apo jo”, vijoi ambasadori.

Sipas tij, nëse ekziston vullneti nga qeveria për ta vazhduar projektin, atëherë ambasada britanike është e gatshme të vazhdojë.

“Por duhet ta kemi parasysh se do të vijnë vlerësimet nga qytetarët, nga BE dhe projekti do të jetë plotësisht transparent. Projekti krijon mundësi jo vetëm për qeverinë që ta ndryshojë kulturën, por gjithashtu krijon mundësi për qytetarët dhe shoqërinë civile të ketë më shumë dijeni se çka po ndodh brenda sistemit. Unë nuk jam i zhgënjyer por nuk vlerësoj çka është bërë”, tha ai.