RTK - Foto: Atdhe Mulla

RTK të Bëhet me Ligj që ia Largon Ndikimin Politik

Anëtari i Bordit të Radio- Televizionit të Kosovës Naim Gashi për KALLXO.com tha se mënyrat më të mira për financimin e RTK-së janë që televizioni publik të financohet ose nëpërmjet parapagimit me fatura të energjisë, ose duke shfrytëzuar një pjesë të akcizës për duhan, alkool e karburante.

Gashi i përmendi këto mënyra financimi që në televizionin publik të mos ketë ndikim politika.

“Ka nevojë të zgjidhet çështja financimit të RTK-së për të garantuar pavarësinë editoriale. Me ligjin aktual RTK është plotësisht në ndikim të politikës dhe pavarësia e tij cenohet vazhdimisht nëpërmes presioneve financiare nga shumica parlamentare në Kuvend”, tha Gashi.

Parapagimi përmes faturave të energjisë elektrike si formë e financimit të RTK-së ka funksionuar deri në vitin 2009.

Atëbotë Gjykata Kushtetuese kësaj forme të financimit i vuri masë të përkohshme. Prej asaj kohe RTK-ja më nuk u financua në këtë mënyrë.

Edhe drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti u pajtua që RTK-ja duhet të financohet në mënyra që ia largojnë ndikimin politik.

“Kryesorja ndër to është mënyra e financimit. Mënyra e financimit nga buxheti i shtetit duhet të ndërpritet, sepse kjo formë përveç që ndikon në pavarësinë redaksionale, është formë që është kundërshtuar vazhdimisht nga Komisioni Europian”, tha Mehmeti.

Sot anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media u mblodhën për të kërkuar një model ku do të bazohen për hartimin e Ligjit për RTK-në.

Derisa sot anëtarët e këtij komisioni i kërkonin modelin për Ligjin e RTK-së sa në Suedi e sa në BBC, anëtari i Bordit të këtij televizioni Naim Gashi duke e cilësuar jetik këtë ligj, tregoi për KALLXO.com çfarë do të rregullojë ai.

Sipas Gashit Ligji për RTK-në duhet të zgjidhë trashëgiminë e pronës nga ish-Radio Televizioni i Prishtinës dhe të parashikojë ndërtimin e një objekti të ri për nevoja të RTK-së.

Gashi konstatoi se ky ligj duhet edhe për të përcaktuar mënyrën e  digjitalizimit të brendshëm të produksionit dhe arkivit, si dhe të vendosë rregullat për angazhimin e produksioneve të pavarura.

Por Jeton Mehmeti nga Instituti GAP tha se Bordi i RTK-së por edhe subjektet politike nuk kanë qenë të interesuar ta zgjidhin problemin e financimit të mediumit publik.

“Shpresojmë se iniciativa e re ligjore do të jetë më ndryshe dhe ky komision parlamentar do të jetë më i hapur për qytetarët”, deklaroi Mehmeti.

Sot anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ishin ndarë në dysh nëse në grupin punues për nismë të shqyrtimit të Ligjit për RTK duhet të përfshihen një grup i gjerë i personave që mund të kontribuojnë.

Madje nënkryetarja e këtij komisioni, Shqipe Pantina propozoi që në grupin punues të jenë edhe persona nga Universiteti i Prishtinës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Pavarur i Mediave dhe të tjerë.