RTK-së i Kërkohet të Mos ua Paguajë Ushqimin Punëtorëve

Një deputet i Kuvendit të Kosovës kërkoi sot nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, mentor Shala, që t’ua heqë punëtorëve të transmetuesit publik shujtat e punëtorëve të këtij mediumi.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për media në të cilën u diskutua kërkesa e RTK-së për 3.7 milionë euro shtesë nga buxheti i Kosovës, deputeti Bardhyl Meta nga LDK tha që shujtat të largohen “brenda një periudhe të shkurtër”.

Punëtorët e RTK-së i shfrytëzojnë shujtat ditore prej 2.5 euro në bazë të kontratës kolektive, por sipas Metës, shpenzimet për shujta janë të paarsyeshme.

“Unë jam për aprovimin e kërkesës me një kusht duke i sugjeru bordit që shujtat e punëtorëve të hiqen brenda një muaj ose dy. Shujta nuk ka asnjë ndërmarrje tjetër, 400 mijë euro në vit janë vetëm shpenzime të shujtave”, tha Meta.

Por Mentor Shala u shpjegoi anëtarëve të Komisionit se shujtat e ushqimit për punëtorë janë të parapara me kontratë kolektive si dhe ekziston marrëveshja e sindikatës

“Këto mjete që po i kërkojmë sot janë mjete shtesë vetëm për ngjarje sportive, kurse shujtat të cilat po i përmendni janë të parapara me kontratën kolektive, paguhet ushqimi 2.5 euro për person në ditë. Kjo është edhe një pjesë e marrëveshjes që kemi me sindikatën e punëtorëve”, tha Shala.

Ndaj kërkesës së Bardhyl Metës ka reaguar menjëherë Sindikata e Pavarur e RTK-së.

Kryetari i kësaj sindikate, Fadil Hoxha, tha për KALLXO.com se shujtat nuk janë arsye pse RTK është në gjendje të vështirë financiare.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së në vazhdimësi ka alarmuar për gjendjen e rëndë financiare në RTK si pasojë e shpenzimeve të pakontrolluara nga menaxhmenti i saj dhe pa mbulesë financiare”, tha Hoxha.

Ai shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë të kërkojë përgjegjësi nga organet drejtuese te RTK-së për situatën financiare në të cilën gjendet RTK.

“Në RTK duhet të zvogëlohen shpenzimet e Bordit dhe Menaxhmentit të cilat janë shumëfishuar në krahasim me vitet paraprake, të ndalen  punësimet e pakontrolluara, blerja e produkteve të jashtme televizive, qiramarrja e pajisjeve teknike etj”, tha Fadil Hoxha.