Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

Rrustemi: Policia të Merret me Aplikacionet e Ardhura nga Serbia

Në mbledhjen e KQZ-së, Rrustemi tha se dërgesa përmes postës nga Serbia e afro  3,890 aplikacioneve është e dyshimtë dhe ardhja e tyre në mënyrë të pashpjegueshme lë për dyshuar.

Ai tha se kjo është shkelje e rëndë dhe KQZ duhet t’i lajmërojë autoritetet përkatëse për të hetuar këtë rast.

Po ashtu, Adnan Rrustemi theksoi se këto pliko mund të jenë mbushur edhe në Kosovë “pasi që ato erdhën në mënyrë të pashpjegueshme në orët e vona”.

Lidhur me këto aplikacione u zhvillua një polemikës mes Rrustemit dhe anëtarit të PDK-së në KQZ, Betim Gjoshi.

“Nuk është institucion KQZ-ja me bo agjenda partiake. Mos të marrin detyrën e profesionistëve mbi punëtorët e Sekretariatit, mos të shpifin me arsyetu një troh autoritet që kanë”, tha Gjoshi.

Rrustemi iu kundërpërgjigj duke i thënë se po kërkon sqarime. “Unë kërkova informacione shtesë sa i përket aplikacioneve sepse është çështje që duhet me u hetu për këto kërkesa”, tha ai.

Ndryshe, Enis Halimi nga Sekretariati i KQZ-së tha se numri i tanishëm i votuesve është 1.885.147.

Po ashtu, ai tregoi se janë 37,718 votues të rinj, ndërsa nga lista e votuesve janë larguar 33,542 emra.

Halimi theksoi se Sekretariati është duke u përgatitur konform detyrave dhe obligimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.