Gropa që ishte hapur "Te Rrethi"

Rruga ‘Te Rrethi’ Kthehet në Normalitet

Asfalti i prerë në një pjesë të rrugës në hyrje të Prishtinës nga i cili u krijua një gropë që pengonte qarkullimin, është rregulluar pas interesimit të KALLXO.com.

Dikush e ka rregulluar këtë gropë, edhe pse drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës nuk i është peërgjigjur interesimit të KALLXO.com për kohën se kur do të sanohej ajo.

Gropa ishte hapur dhjetë ditë më parë afër rrethrrotullimit kryesor, një rruge nga më të ngarkuarat në kryeqytet.

Kur gropa ishte e hapur, Mentor Zhegrova, qytetar i Prishtinës kishte thënë për KALLXO.com se gjatë kësaj rruge brenda një dite kalon të paktën tri herë. Sipas tij, gropa nuk është aq e madhe, por prapëseprapë është pengesë.

“Kaloj mrena ditës, kaloj dy-tri herë. Po normal pengon, amo nuk është edhe shumë që është. Kjo mundet me i pasë ndoshta dhjetë ditë që është e hapun”, tha Zhegrova.

Bekim Selmani, një banor tjetër i Prishtinës, kishte shprehur drojën e shkaktimit të aksidenteve nga shmangia që veturat i bënin gropës duke kaluar në kordinë tjetër.

“Gjysma po i ikin kësaj grope edhe po bohen aksidente”, tha Selmani.

Fisnik Osmani, asamblist nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, tha se është përgjegjësi e komunës që të përfundojë me kohë punimet në rrugë.

“Sigurisht, nëse këto prerje – intervenime bëhen nga komuna, atëherë është direkt përgjegjësi e tyre dhe organeve të saj të kujdesen për kryerjen e punimeve, pra, të njëjtat të kryhen në kohë”, tha asamblisti Osmani.

Sipas asambleistit, intervenimet e tilla, sidomos pa shenja paralajmëruese janë pengesë për qarkullim të sigurt në rrugë.

Edhe ndriçimi i një këndi të lojërave që paraqiste rrezik për fëmijët në Lagjen “Kodra e Diellit” ishte  rregulluar pas interesimit të KALLXO.com.

http://kallxo.com/kendit-te-femijeve-kthehet-siguria/