Rruga me Pengesa e Shërimit të Zemrave të Fëmijëve

Mjeku Mazllum Belegu që bashkëpunon me organizatën “Gift of Life”, tregon për KALLXO.com se po pengohet në misionin që me anë të kësaj organizate të dërgojë fëmijë kosovarë të sëmurë nga zemra jashtë vendit për trajtim.

Sipas Belegut, pengesa në këtë punë po i shkaktohen nga Ramush Bejiqi, pediatër kardiolog që nga fillimi kur sipas Belegut, Bejiqi kishte një konflikt të rëndë me një mjeke shqiptare që punon në SHBA, pjesë e ekipit që synon dërgimin e fëmijëve kosovarë për shërim që në fillim të këtij projekti.

Belegu shpjegon që konflikti mes Bejiqit dhe doktores ndodhi, pasi sipas tij mjekja u interesua të dijë nga Bejiqi se pse nuk janë gjetur 100 fëmijë me probleme në zemër për t’u dërguar jashtë vendit, por vetëm 40.

“Me fjalë ofenduese e sulmoi aq sa mu desht t’i ndërpres pothuaj me dhunë. Diten e parë punuese, unë shkova në Aeroport me e marrë drejtorin ekzekutiv të ‘Gift of Life International’ dhe kur u kthyem, kardiologu i ekipit i propozoi Drejtorit t’i mbledhin “çaklat” dhe menjëherë të kthehen në SHBA, meqë është sulmuar nga Ramushi, pse e kanë sjellë echo-sonografisten. Lutjet e mëdha e ndalën kthimin e tyre,” tha Belegu për KALLXO.com.

Belegu akuzoi Bejiqin se sillte fëmijë jashtë listave të përpiluara për trajtim jashtë vendit duke shkaktuar pakënaqësi të prindërve që i kishin fëmijët në lista.

“Në misionin e ardhshëm i thashë Ramushit që do të kemi vetëm një listë, të cilën ai do ta përpilojë, por ai e vazhdoi me të vjetrën, prapë sillte për dore ka dy – tre fëmije, pa rend i fuste dhe krijonte pakënaqësi ndër prindërit e pranishëm. Drejtori i ‘Gift Of Life International’  më tha në fund se nëse Ramushi vazhdon te punojë kështu, ne nuk do te mundemi të vijmë,” thotë Belegu.

Sipas Belegut, kulmi i mosbashkëpunimit mes tij e Bejiqit ndodhi sivjet, kur Bejiqi përsëri nuk i gjeti 60-80 pacientë-fëmijë me probleme në zemër, ndërsa ditën e fundit të misionit të organizatës “Gift of Life” i solli 20 fëmijë që nuk ishin në lista.

Belegu thotë se në vitin 2014 nëpërmjet “Gift of Life” siguroi një ardhje të mjekëve të sëmundjeve të lindura të zemrës nëpërmjet organizatës “Chain of Hope”, por sipas tij, edhe për këta mjekë nuk u siguruan pacientët e kërkuar për shërimin e të cilëve këtë herë në Kosovë ishin të interesuar të ndërhyjnë kirurgjikisht.

“Më thirrën dhe me thanë se do të vijnë në mars, por ne duhet t’i sigurojmë 6 deri 10 femijë. Ia përcolla Ramushit  këtë dhe ai me tha se për dy orë do t’i siguroj. Ma dha listën prej 14 fëmijëve, por disa kishin vdekur, te tjerët ishin shëruar dhe mbeti vetëm një fëmijë. Kur e panë anëtarët e ekipit, të cilët kishin ardhur 17 veta, me 56 paketa me material shpenzues, u zhgënjyen,” tha Belegu.

Ai thotë se pas konflikteve që i kanë pasur ai e ka lajmëruar Klinikën e Pediatrisë dhe nga drejtoria ka marrë veç premtime se nuk do të ndodhin më gjëra të tilla.

Bejiqi i kontaktuar nga KALLXO.com nuk deshi të komentojë në lidhje me akuzat e Belegut, ndërsa QKUK-ja nuk u është përgjigjur ende pyetjeve të dërguara në Zyrën për Informim.

Mjeku Belegu thotë se puna e tij me “Gift of Life” është vullnetare dhe për këtë nuk paguhet.

Ai tregon për kallo.com rezultatet e punës me këtë organizatë. Thotë se deri më tash 75 raste janë dërguar për intervenim në SHBA, Gjemani, Itali, Angli, Izrael dhe Korenë Jugore. Sipas tij,  edhe 12 fëmijë janë duke pritur për të rregulluar dokumentacionin dhe pesë të tjerë presin lajmin e pranimit në spital.

“Sikur të ishte bashkëpunimi më i mirë, rezultatet do të ishin edhe më impozante,” thotë Belegu.

KALLXO.com dhe Jeta në Kosovë kanë raportuar disa herë për pakënaqësitë e prindërve në lidhje me trajtimin nga dr.Ramush Bejiqi.

Në mars të vitit të kaluar KALLXO.com raportoi për rastin e një prindi me vajzë të sëmurë që ishte i pakënaqur me mënyrën e trajtimit nga dr.Bejiqi.

Përballja e Prindit me Sëmundjen e Rëndë të Vajzës dhe QKUK-në

Në dhjetor të vitit 2015 Jeta në Kosovë ka paraqitë emisionin “Të mirat dhe të Këqijat e QKUK” ku Bejiqi është përballur me të gjeturat e emisionit dhe me një nënë që fëmijën e saj e ka pasur pacient të tij.

Jeta në Kosovë: Të mirat dhe të këqijat e QKUK-së

Ndërsa në korrik të këtij viti, një prind është ankuar se përkundër sëmundjes së rëndë të fëmijës së tij, dr.Bejiqi ka refuzuar ta ndihmojë për të kërkuar trajtim jashtë vendit.

‘Nuk Mbijeton’: Fëmijës i Refuzohet Trajtimi Jashtë Vendit