Gjendja e një pjese të rrugës "Shaqir Igrishta" | Foto: KALLXO.com

Rruga në 'Mati 1' që nuk Asfaltohet për Probleme me Mezhda

Kanë kaluar dy vjet që nga rregullimi i kanalizimit në rrugën “Shaqir Igrishta” të lagjes “Mati 1” në Prishtinë, por një pjesë e kësaj rruge prapëseprapë është lënë nën mëshirën e kohës.

Rruga është e paasfaltuar, me gropa të mëdha dhe në të pusetat e kanalizimeve nuk kanë kapakë.

Banorët janë të shqetësuar dhe të irrituar nga gjendja e kësaj rruge e cila po ju sjell vështirësi në qarkullim.

Idriz Mulolli, që i duhet të qarkullojë nëpër këtë rrugë, ngase jeton në këtë pjesë të kryeqytetit, nuk sheh arsye pse rruga nuk po asfaltohet.

Ai tregon për KALLXO.com se 100 familje e shfrytëzojnë Rrugën “Shaqir Igrishta”.

“Derisa ka emër, është rrugë kadastrale, domethënë rrugë legjitime. Është e vetmja rrugë së paku për Mati 1 që është e pashtrume, derisa aty jetojnë mbi 100 familje sepse janë ndërtesa të ndërtume që furnizohen komplet për atë rrugë edhe janë minimum 10 shtëpi”, thotë Mulolli.

Ai rrugën e konsideron shumë të rrezikshme.

“Është e pakalueshme me veturë, e rrezikshme për fëmijë sepse qysh është bo kanalizimi janë krejt shaktat e pambylluna, prej se e kanë bo kanalizimin”, shpjegon Idriz Mulolli.

Puseta e pambuluar në Rrugën “Shaqir Igrishta”

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, thotë se rruga ka mbetur e pashtruar si pasojë e pengimit nga ana e pronarëve të parcelave përgjatë saj.

“Pjesa më e madhe e rrugës ‘Shaqir Igrishta’ veç është përfunduar. Në pjesën e mbetur, pronarët e parcelave nga kalon shiriti rrugor nuk na kanë lejuar të vazhdojmë me punime, edhe pse jemi përpjekur disa herë”, thotë Tahiri.

Enver Gashi i cili është njëri ndër pronarët e parcelave që gjenden buzë rrugës, tregon pse këta pronarë nuk po e lejojnë asfaltimin e rrugës.

Sqaron se nuk janë caktuar mezhdat mes pronarëve të parcelave.

“Djali i axhës nuk ka leju, amo edhe unë jam i përfshimë aty. Parcela është në gjykatë për ata s’kena leju. Jemi në proces gjyqësor edhe nuk kemi leju”, thotë Gashi.

Derisa mezhdat të përcaktohen, njërëzit tjerë që duhet të kalojnë nëër këtë rrugë do të vuajnë pasojat e infrastrukturës së munguar.

KALLXO.com ka shkruar edhe për rrugë tjera të harruara në Kosovë.

http://kallxo.com/lagjja-e-harruar-e-fshatit-te-kacanikut/

http://kallxo.com/lagjja-qe-menjanohet-nga-komuna-e-rahovecit/

http://kallxo.com/rruga-pritet-te-asfaltohet-duke-harruar-njezet-metra-te-saj/