Rruga e të Akuzuarit për Terrorizëm nga Kosova në Siri

Besnik Ukshini, i akuzuari për vepra që lidhen me terrorizmin e deklaroi pafajësinë, por prokurori tregoi se si shkoi Ukshini deri në Siri.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori i Prokurorisë Speciale Agron Bajrami tha se i akuzuari për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist nga Kosova udhëtoi drejt Shqipërisë për të shkuar më pas në Turqi.

“Së bashku me Basri Sylejmanin kanë kaluar pikën kufitare në Vërmicë me datën 11.07.2014, kanë udhëtuar përmes aeroportit ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë në linjën ajrore Tiranë-Stamboll ku prej Stambollit më pas kanë vazhduar me linjën ajrore Stamboll- Gaziantep për të shkuar me kombibus drejt kufirit sirian”, tha prokurori Agron Bajrami.

Ai më tutje tregoi se si vazhdoi udhëtimi i Ukshinit në shtetin sirian të prfshirë nga lufta.

”Pas një udhëtimi dy orësh kishin mbërritur në qytetin Jarabulus në shtetin e Sirisë ku ishin vendosur në një objekt që menaxhohej nga organizata ISIS për të shkuar pastaj në një qendër stërvitore të po kësaj organizate me qëllim të kryerjes së stërvitjeve ushtarako-fizike dhe përdorimit të armëve në afërsi të qytetit Ar Raqqah në shtetin e Sirisë”, vijoi leximin e aktakuzës Bajrami.

Prokurori precizoi pastaj vendin në Siri ku veproi i akuzuari Besnik Ukshini.

“…ku gjatë qëndrimit në Siri tani i pandehuri kishte shërbyer në një spital që i takonte një organizate terroriste të lartcekur dhe i njëjti ishte pajisur me armë dhe municion”, tregoi prokurori.

Pasi prokurori lexoi aktakuzën, i akuzuari Besnik Ukshini u deklarua i pafajshëm.

Jo nuk e pranoj fajësinë”, tha Ukshini.

Seanca e radhës u caktua më 24 korrik 2017.