Rruga e Pendimit

Një vit më parë Shemsi Çitaku nga Bajqina e Podujevës kishte menduar se lënia e punës në Kosovë, shitja e dy lopëve që kishte dhe disa pulave, si dhe kërkesa për 3 mijë euro borxh do t’i ndihmonin që të gjente një jetë më të mirë.

Por ai tash e di që me veprimt e tilla vetëm ia rëndoi gjendjen vetes dhe anëtarëve të familjes së tij.

Më 4 shkurt 2015 Shemsiu  së bashku me bashkëshorten, dy djemtë si dhe vajzën që thotë se nuk e ka mirë me shëndet ishin nisur për Gjermani duke imigruar ilegalisht.

Këtë rrugë Shemsiu e kishte marrë duke shpresuar që vajza do të kishte një të ardhme më të mirë atje, një shkollim  më adekuat si dhe një trajtim më të mirë.

“Jam nisur më së shumti për këtë çikë dhe kuptohet sikur të gjithë, tu mendu me shku përpara pak. Këtu s’po kemi, do rroga të vogla, ajo ish kanë më shumë përfitim i dikujt,” tha Çitaku.

Atje kishte qëndruar për 3 muaj në kampe të ndryshme duke shpresuar që një ditë do të merrte lejen e qëndrimit ose të punës në këtë shtet.

“Kam harxhuar ngat  4 mijë euro… sivjet kemi hjek pak, vera ka qenë, po punë s’kish, lypshe punë, po nuk gjejshe,” shpjegoi Çitaku.

Çitaku para se të shkonte në Gjermani, kishte punuar punëtor teknik në shkollën fillore “Enver Maloku” në Podujevë. Ndërsa vetëm pak muaj më parë është kthyer prapë në punë.

Zhgënjimi i Shemsi Çitakut kishte nisur sapo kishte arritur atje. Ndërsa ai sot as nuk mendon se do të shkonte edhe njëherë në atë mënyrë se si kishte shkuar para një viti.

“Tash me më thënë edhe me kerr shko dhe me më thënë se 80 ose 90 për qind të nalin atje, nuk nisna,” është i vendosur ai.

Para se të nisej për Gjermani Çitaku kishte filluar ndërtimin e shtëpisë me një kredi që e kishte marrë si dhe me disa ndihma të miqve. Ai e ka finalizuar ndërtimin, por nuk ka arritur ta bëjë shtëpi të banueshme.

Shtëpia në të cilën jeton Shemsiu është shumë e vjetër, e ndërtuar në rininë e babait të tij që nuk jeton më.

Plasaritjet e saj për shkak të tullave prej dheu, si dhe dritaret e vjetruara, të ftohtit që mbretëronte jashtë e bënin pjesë të ambienteve të brendshme të shtëpisë .

“Me ato pare [që i harxhoi për të dalë në Gjermani] diçka kisha punu në shtëpi. Vëllai s’është këtu [në fshat], mixha s’është këtu, tokën e tyre e punoj unë, po edhe me e punu unë s’kom me çka me e punu. Me ato pare unë e kisha ble një traktor, e kisha punu token dhe kisha qenë shumë më i kënaqur,” tha Shemsiu.

Si Shemsiu nga të larguarit prej Kosovës në fund të 2014-ës dhe fillim të vitit që shkoi, janë riatdhesuar rreth 17 mijë persona.

Ndërsa shtete të ndryshme të BE-së, çdo ditë e më shumë njoftojnë se leja e qëndrimit në to nuk do t’i pranohet asnjë qytetari të Kosovës.