Rruga e Ndërprerë e Migrimit Ilegal të Tre Kosovarëve

Nexhbedin Hasanaj, i akuzuari për vepra që lidhen me kontrabandimin e emigrantëve e ngelur në tentativë e deklaroi pafajësinë në gjykatë, por prokurori tregoi se si Hasanaj me veprimet e tij kishte rënë ndesh me ligjin.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori Agron Matjani tha se i akuzuari në bashkëpunim me një shtetas bullgar kishin organizuar kontrabandimin e tre personave që për destinim kishin Italinë.

“I pandehuri Nexhbedin së bashku me shtetasin bullgar kanë pasur për t’i marrë nga 1500 euro dhe se në ditën kritike në automjetin taxi me tabela të Bullgarisë të cilën e ka drejtuar shtetasi bullgar Ivan Deljakov e në të cilin automjet ishte edhe i pandehuri Nexhbedin Hasanaj nisen nga qyteti i Gjakovës”,  tha prokurori Matjani.

Prokurori më tutje tregoi se si vazhdoi udhëtimi i Hasanajt dhe i shtetasit bullgar së bashku me tre personat e kontrabanduar që u kapën nga autoritetet kufitare kroate.

“Duke e kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri në Vërmicë më pas nga Shqipëria kanë kaluar territorin e Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës dhe në momentin kur arrijnë në territorin e Kroacisë ndalohen nga policia kroate, ashtu që shtetasin bullgar Ivan Deljakov policia kroate e arreston, gjersa të pandehurin Nexhbedin Hasanaj dhe të tjerët I kthejnë prapa në Bosnjë dhe Hercegovinë që më pas nga autoritetet përkatëse të njëjtit kthehen në Kosovë”, vijoi leximin e aktakuzës Matjani

Pasi prokurori lexoi aktakuzën, i akuzuari Nexhbedin Hasanaj u deklarua i pafajshëm.

Jo, [nuk e pranoj fajësinë] unë jam kanë sikur ata tu dalë jashtë se atje punoj edhe jetoj. Këtë Ivanin e njof si shok, nuk jam unë kontrabandist”, tha i akuzuari Hasanaj.

KALLXO.com ka shkruar edhe për procese tjera gjyqësore që lidhen me kontrabandën me emigrantë.

http://kallxo.com/gjykimi-i-te-akuzuarve-per-kontrabandim-me-emigrante/

http://kallxo.com/burg-dhe-gjobe-per-kontrabandim-emigrante/