Rruga e fshatit Vilanc - Fot: KALLXO.com

Rruga e fshatit Vilanc që kërkon asfalt

Banorët e fshatit Vilanc të  Vushtrrisë kërkojnë nga Komuna asfaltimin e rrugës së fshatit.

Banorët janë ankuar për gjendjen e rrugës në fshatin e tyre. Sipas tyre kjo rrugë është në këtë gjendje tash e sa vite.

Kërkesa për asfaltimin e rrugës, sipas banorit Arsim Istrefi, komunës i është bërë edhe më herët por nuk kanë marr asnjë përgjigje.

“Qe një kohë të gjatë, shko në komunë, gjithkund kemi ba kërkesa. Janë afër 60 shtëpi, kanë edhe nxënës”, thotë Istrefi.

Istrefi shpreson në qeverisjen e re në Komunën e Vushtrrisë për rregullimin e rrugës në lagjen e tyre.

“Tash me këtë qeverisjen e re, çka do të bëjnë. Kemi qenë edhe tash, ka thënë qe dal por nuk ka ardhë ende. Po presim, nëse na zë edhe një herë dimri kështu, është vdekje kjo”, u shpreh Istrefi

Ndërsa Sabit Krasniqi, banor tjetër i fshatit, thotë për KALLXO.com se kjo rrugë e cila përdoret edhe nga nxënësit për të shkuar në shkollë, gjatë dimrit bëhet e pakalueshme.

“Kur bëhet me baltë dimrit nuk mundemi me dalë hiç, mbesin edhe kerret. Shumë është e rëndë me kalu”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, gjatë kohës së dimrit në këtë rrugë kalohet vetëm me traktor.

“Me kerre të vogla shumë mbesin, kanë vështirësi me dalë, se nuk mund të kalojnë nga balta, ndërsa traktorët qarkullojnë më lehtë”, thotë Krasniqi.

Se gjendja e rrugës nuk është aspak e mirë, është konstatuar edhe nga zyrtarët e komunës së Vushtrrisë, të cilët e kanë bërë incizimin e rrugës.

Drejtori për Shërbime Publike në  Vushtrri, Sedat Rashica, ka thënë për KALLXO.com se komuna ka bërë incizimin e kësaj rrugë dhe ka konstatuar se gjendja e rrugës nuk është aspak e mirë.

Por sipas Rashicës, kjo rrugë nuk do të mund të asfaltohet as gjatë këtij viti.

“Përkundër gjendjes së keqe kjo rrugë nuk është planifikuar për asfaltim për vitin 2018. Do të bëjmë përpjekje për shtrim me zhavor në kuadër të kontratës për mirëmbajtje të rrugëve të këtij rangu”, tha Rashica për KALLXO.com.