Rruga e Dy Kadetëve të FSK-së Drejt “West Point”-it

Dy kadetë të FSK-së Arilena Shala e Ylli Dalladaku do ta vazhdojnë shkollimin në Akademinë Ushtarake “West Point” të ShBA-së.

Ata kanë mposhtur shumë kandidatë nga shtete të ndryshme të botës me përzgjedhjen në këtë akademi.

Kadetja Arilena Shala kur flet për KALLXO.com suksesin nuk e konsideron vetëm personal, por edhe shtetëror.

“Nuk e konsideroj vetëm si arritje personale për zhvillimin  e karrierës time ushtarake, por si një arritje për shtetin e Kosovës dhe këtë përgatitje profesionale që kam me marrë atje ka me më ndihmu m’i shërby sa ma mirë Kosovës kur të kthehna këtu”, tha ajo.

Kadeti Ylli Dalladaku thotë se rruga drejt “West Point”-it nuk ishte e lehtë.

“Ka qenë një rrugë shumë e vështirë, fillimisht ideja ime fillestare ishte t’i bashkohem akademisë tonë në Kosovë, pastaj mësova edhe për Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point, pastaj me përgatitjen time dhe mbështetjen që na e dha FSK-ja dhe familja ime, arritëm t’i përmbushim pritjet e FSK-së dhe kriteret rigoroze të Akademisë Ushtarake të ‘West Point’-it,” tha Dalladaku.

Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave të kësaj akademie për këta dy kadetë të organizuar nga Ministria e FSK-së, ambasadori amerikan Greg Delawie tha se nuk ishte i lehtë depërtimi i kosovarëve në “West Point”.

“Mund të ju garantoj që ata 95 aplikues të tjerë nuk ka qenë e lehtë t’i mundësh dhe ka qenë një garë tepër e ngarkuar,” tha ai.

Ministri i FSK-së Haki Demolli suksesin e dy kadetëve e konsideroi krenari për Kosovën.

“Mburremi dhe jemi krenarë që sot në mesin tonë qëndrojnë para nesh me ndjenjën legjitime të krenarisë dhe të gëzimit dy kadetë, të cilët me aktin e regjistrimit në ‘West Point’ jo vetëm që kanë nderuar Ministrinë e FSK-së, por kanë nderuar edhe emrin e tyre, familjen dhe tërë Kosovën,” tha ai.

Dy kadetët kosovarë u përzgjodhën nga “West Point” në mesin e 95 kadetëve nga 29 shtete të botës.

“West Point” u themelua në vitin 1802, ndërsa renditet në mesin e institucioneve arsimore më të mira në ShBA.