Lagjja "Tabje" në Pejë | Foto: KALLXO.com

Rrufeja Dëmton Pajisjet Elektrike në ‘Tabje’ të Pejës

Si pasojë e rrufesë dje gjatë reshjeve të mëdha të shiut, banorët e lagjes “Tabje” në Pejë ankohen se u janë prishur shumica e pajisjeve elektrike.

Leotrim Krasniqi, tha për KALLXO.com  se janë djegur pajisjet elektrike nëpër familjet e lagjes së tij që kanë qenë në rrymë në kohën kur në Pejë pati goditje të rrufesë.

“Shumicës së shtëpive të lagjes u janë shkaktuar dëme të konsiderueshme nga rrufeja dje pasdite.  Pajisjet elektrike që kanë qenë në rrymë shumica janë djegë”, tha ai për KALLXO.com.

Krasniqi tregoi se dje menjëherë banorët e “Tabjes” kanë lajmëruar edhe ekipin e emergjencave përmes numrit zyrtar të tyre.

Por drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën  e Pejës, Ukë Selimaj, tha për KALLXO.com se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga banorët që iu dëmtuan pajisjet, por bëri të ditur se dëmet do të vlerësohen.

“Unë personalisht s’ka pranuar ndonjë kërkesë (për lagjen Tabje), por sipas detyrës zyrtare do bëhen këto vlerësime “, tha Selimaj

Po ashtu dje në Pejë si pasojë e të reshurave të shiut disa rrugë janë vërshuar nga sasia e madhe e ujit.

Qytetarët kanë dërguar në KALLXO.com disa fotografi ku pasqyrohet gjendja e rrugëve gjatë të reshurave të shiut.

Ukë Selimaj, Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunë të Pejës tha së si pasojë e të reshurave të shiut gjatë pasdites së djeshme ka pasur edhe dëme.

“Dëme ka pasë, por nuk ka ende ndonjë konstatim të saktë të dëmeve. Duhet verifikim dhe kjo kërkon pak kohë”, deklaroi Selimaj.

Vërshimet në Pejë | Foto e ardhur në KALLXO.com

Banorët e Lagjes “Tabje” të Pejës ishin ankuar edhe për mungesë uji për disa muaj, pasi një pompë ishte dëmtuar.

http://kallxo.com/pa-uje-qe-nga-janari-shkaku-nje-pompe/

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për vërshimet e shkaktuara në qytetin e Pejës gjatë të reshurave të mëdha të shiut.

http://kallxo.com/vershimet-lene-pasoja-ne-peje/

http://kallxo.com/kthehen-vershimet-ne-qytetin-e-pejes/

http://kallxo.com/kanali-cokolica-para-daljes-nga-shtrati/