Rrjetet Sociale- Afrimi i Njëanshëm i Politikanëve me Votuesit

Politikanët po i shfrytëzojnë rrjetet sociale për zgjedhjet e parakohshme, por analistët këtë e konsiderojnë komunikim të njëanshëm.

Një pjesë e konsiderueshme e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që ka filluar nga 1 qershori, është duke u bërë në rrjete sociale.

NDËRLIDHUR

Ndërkaq, kandidatët për kryeministër dhe për deputetë shumicën e rasteve po refuzojnë të jenë pjesë e debateve nëpër emisione televizive.

Subjektet politike kanë zgjedhur metodën më të lehtë se si të jenë më afër audiencës në kohën e duhur.

Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me partnerët e koalicionit Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa prijnë për postime të fushatës në Facebook, Partia Demokratike e Kosovës me partnerët e saj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën pasojnë në vendin e dytë ndërkaq, e treta është Lëvizja Vetëvendosje.

Këto rezultate janë komunikuar të martën nga rrjeti i organizatave të shoqërisë civile “Demokracia në Veprim”.

Sipas DnV-së, koalicioni LDK-AKR-Alternativa, që nga fillimi i fushatës ka bërë 128 postime dhe prin për dallim nga subjektet e tjera, në radhë vjen koalicioni PDK-AAK-Nisma me 77 postime ndërkaq Vetëvendosje arrin në 38 postime.

Ndërkaq, për nga postimet në Facebook prin Avdullah Hoti me 71 postime, Ramush Haradinaj me 34 postime dhe Albin Kurti me 30 postime.

Njohës të kësaj fushe dhe analistë politikë, kanë vlerësime të ndryshme lidhur me këtë lloj fushate.

Analisti Belul Beqaj, mban qëndrimin e tij se debatet duhet të kenë përparësi, ndërsa alternativë duhet të jenë  rrjetet sociale.

Kurse eksperti i mediave sociale, Valon Canhasi shprehet se audienca përmes rrjeteve sociale arrihet më lehtë.

Belul Beqaj, ka thënë për KALLXO.com se koha e shkurtër e fushatës  zgjedhore kërkon produktivitet të lartë medial.

Sipas tij  mediat sociale mbeten alternativa më e mirë për kandidatët, përkundër që bartin mesazhe njëkahëshe.

“Rrjetet sociale mbeten si alternativa më e mirë për kandidatët politikë meqë fizikisht dhe mendërisht kanë problem të organizohen kualitativisht, prandaj po u drejtohen rrjeteve sociale për të bartur mesazhe njëkahëshe”, tha Beqaj.

Beqaj e quan dobësi profesionale komunikimin e kandidatëve për deputetë dhe kryeministër nëpërmjet rrjeteve sociale, në dëm të ballafaqimit dhe debatit të drejtpërdrejtë.

“Komunikimi i njëashëm nuk është luks, është dobësi profesionale e një pretendenti politik që dëshiron politikëbërjen ta shndërrojë në profesion. Prandaj, të gjithë politikanët që e kanë zgjedhur kryesisht këtë metodë do të ndëshkohen  nga elektorati politikisht i vetëdijshëm, ndërsa ata që janë pjesë aktive të rrjeteve sociale kryesisht janë politikisht të ngritur”, shpjegoi Beqaj.

Valon Canhasi  ekspert i mediave sociale, mendon se mungesa e kandidatëve në debate ka të bëjë më shumë me ballafaqimin në mes të analisteve ose opozitës.

“Ky ballafaqim përballë njëri-tjetrit do të kishte ndikim në zgjedhjet në përgjithësi, por edhe me mediat sociale, pasi që kjo lloj përmbajtje po shpërndahet më shpejt dhe më shumë se lajmet për planprogramin”, tha Canhasi.

Canhasi, tha për KALLXO.com se audienca përmes rrjeteve sociale arrihet më shpejt sidomos në Facebook, pasi që Kosova ka rreth 1 milion përdorues.

“Veglat që i kanë sot në dispozicion për targetimin e audiencave nëpërmjet rrjeteve sociale, sidomos nëpërmjet Facebook, ku në Kosovë janë rreth 1 milion përdorues, e bëjnë metodën më të lehtë që të arrihet tek audienca e duhur në kohën e duhur dhe në pajisjen e duhur me përmbajtjen e duhur. Pra me rrjete sociale mund të arrihet më lehtë”, tha ai.

Lidhur me koston e shpenzimeve përmes rrjeteve sociale të sponsorizuara, Canhasi ka thënë se nuk ka të dhëna në këtë fushë, por thotë se minimumi që lejon Facebook është 1 dollar për postim.

“Nuk kam të dhëna për këtë fushatë, por minimumi që lejon Facebook është 1 dollar për postim”, sqaron ai.

Gjithsesi, për analistin Belul Beqaj  debatet janë komunikime ballë për ballë, direkte ku votuesit mund të nxjerrin përshtypje shumë më meritore për kandidatët sesa në raste të komunikimit të njëanshëm.

“Këto duhet të kenë përparësi, ndërsa alternativë duhet të jenë  rrjetet sociale”, pohoi Beqaj.

KALLXO.com ka shkruar më herët në lidhje me shmangien nga debatet e kandidatëve për kryeministër, të cilën shmangie analistët e kanë konsideruar mungesë të kulturës së ballafaqimit zgjedhor.

Ikja nga Ballafaqimi, Mungesë e Kulturës së Debatit

PDK-ja nuk p-o merr pjesë në debate, ngase po kërkon më shumë hapësirë për të nëpër to.

07 Qershor 2017 - 09:54

Amire Qamili 07/06/2017 - 09:54
NDËRVEPRIMI0

Rrjetet Sociale- Afrimi i Njëanshëm i Politikanëve me Votuesit

by Amire Qamili
NA NDIQNI

Send this to a friend