Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie - Foto: KALLXO.com

Rritje për 60 % e Numrit të Studentëve Kosovarë në ShBA

Në ditën informuese për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në ShBA, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Arsimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se krahasuar me vitin paraprak ka një rritje prej 60% të numrit të studentëve kosovarë që po studiojnë në Amerikë.

“Shumë studentë nga Kosova janë duke studiuar në ShBA, shumë më shumë se sa më herët dhe me krenari lajmërojmë që nga Kosova janë 268 studentë të cilët studiojnë në SHBA. Kjo do të thotë se është një rritje afërsisht 60 % e numrit të studentëve nga viti paraprak”, tha Delawie.

Delawie po ashtu tha se studentëve kosovarë edukimi ndërkombëtar iu ofron shumë mundësi për t’u zhvilluar, për të kontribuar dhe për t’u bërë liderë në komunitetin e tyre.

“Ne e dimë që edukimi ndërkombëtare hap shumë dyer për të rinjtë nga Kosova, u lejon atyre që të bashkëpunojnë me shokët dhe shoqet nga tërë bota duke zhvilluar perspektiva globale të cilat janë të nevojshme për të pasur sukses në ekonominë e cila është dinamike në ditët e sotme”, tha ambasadori në ngjarjen që për çdo vit e organizon Ambasada amerikane.

Redaktoi: Naser Sertolli