Rektorati i Universitetit të Mitrovicës | Foto: Universiteti i Mitrovicës

Rritja që Nuk po e Marrin Shërbyesit Civilë të Universitetit të Mitrovicës

Në janar të vitit 2011 Qeveria e Republikës së Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pagave prej 30 për qind për të gjithë shërbyesit civilë.

Por një pagë të tillë me rritje nuk po e marrin shërbyesit civilë në Universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës.

Këta shërbyes janë ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës që pjesërisht ua ka miratuar ankesën.

“Sekretari i përgjithshëm i Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë që nga data e pranimit të vendimit të nxjerrë akt administrativ me të cilin ankuesve ua njeh ngritjen në pagën bazë nga data 21.04.2016, konform vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, kërkoi Këshilli.

Por, Ahmet Jashari, zyrtar për informim në Universitetin e Mitrovicës tha se në kohën kur u rritën pagat, këta shërbyes civilë i takonin Universitetit të Prishtinës.

“Të gjithë ankuesit – kreditorët, në momentin e nxjerrjes së vendimit për rritjen e pagës së vitit 2011 kanë qenë nëpunës civilë në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Prishtinës dhe përfundimisht më 1 gusht 2015 janë transferuar në Universitetin e Mitrovicës”, tha Jashari për KALLXO.com.

Jashari më tutje tregoi se në marrëveshjen për ndarje mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Mitrovicës, Universiteti “Isa Boletini” nuk obligohet për kompensime tjera përveç pagës të cilën e kanë pasur nëpunësit civilë në UP në momentin e transferimit.

Zyrtari për informim i Universitetit të Mitrovicës thotë se sipas pikës 9 të vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, për zbatimin e kësaj rritjeje obligohen Ministria e Administratës Publike dhe ajo e Financave.

Jashari tregoi se pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), Universiteti i Mitrovicës ka bërë përpjekje që çështjen e rritjes së pagave ta drejtojë të ministritë që i konsideron përgjegjëse për këtë gjë.

“Pas vendimit të KPMSHCK-së, UMIB, përmes sekretarit të përgjithshëm, vazhdimisht ka bërë përpjekje që çështjen ta adresojë në organet përgjegjëse (MAP dhe MAShT), duke argumentuar se nuk është palë në kontestin e krijuar, por lidhur me këtë kërkesë asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga KPMSHCK dhe lënda vazhdon të jetë në procedurë kontestimore”, ka sqaruar Jashari.

Por Besa Bytyqi, zyrtarja për informim në Ministrinë e Arsimit, tha për KALLXO.com se kjo përgjegjësi i takon Universietiti të Prishtinës sepse UP sipas saj është institucion në vete që nga viti 2009 dhe skema buxhetore e UP-së nuk ndahet nga Ministria e Arsimit.

I kontaktuar nga KALLXO.com sekretari i Universitetit të Prishtinës Esat Kelmendi thotë se në këtë rritje nuk janë përfshirë shërbyesit civilë të Universitetit të Prishtinës.

“Nga vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 6 janar 2011 për rritje të pagave prej 30% për shërbyes civilë nuk ka përfituar asnjë punëtor i Administratës së UP-së duke përfshirë edhe qendrat e saj jashtë Prishtinës (Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Prizren, Gjakovë dhe Ferizaj)”, thotë Kelmendi.

Ai jep arsyen pse këta shërbyes nuk përfituan nga rritja e pagave.

“Arsyet e mospërfshirjes së administratës së UP-së kanë qenë për faktin se personeli administrativ i UP-së është konsideruar se kishte pagën, plus shtesën funksionale në total më të lartë se shërbyesit tjerë civilë”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu tha se Universiteti i Prishtinës këtë boshllëk të mospërfshirjes në rritje të pagës bazë e kishte kompensuar gjithmonë me pagesë shtesë nga të hyrat vetanake.

“Nga viti 2016 Këshilli Drejtues i UP-së ka miratuar Rregulloren e re për pagesa të administratës me ç’rast paga aktuale bazë dhe shtesa stimulative janë shkrirë në një pagë të vetme, jo vetëm për administratën e UP-së por një formë e tillë e pagesës u është mundësuar të gjitha universiteteve të reja duke falenderuar gatishmërinë e Ministrisë së Financave dhe Ministrinë e Administratës Publike”, tha Kelmendi.