Foto-ilustrim

RrGK dhe BIRN Fillojnë Monitorimin e Rasteve të Dhunës Gjinore

Nga korriku i këtij viti, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kanë filluar bashkëpunimin për të monitoruar të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore, me fokus në dhunën në familje dhe dhunën seksuale ndaj grave dhe vajzave.

Hulumtimet e fundit tregojnë se  institucionet vendore kanë dështuar të ofrojnë shërbimet e tyre në mënyrë profesionale në rastet e dhunës në baza gjinore, duke dështuar në implementimin e kornizës ligjore, rrjedhimisht duke dështuar në ofrim të mbrojtjes dhe përkrahjes së viktimave të dhunës në baza gjinore.

Për të parandaluar abuzimet në trajtimin e këtyre rasteve dhe për t’u  ofruar përkrahje viktimave të dhunës në baza gjinore, dy rrjetet së bashku do të fillojnë procesin e monitorimit të punës së institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore në ofrim të ndihmës në këto raste.

Si pjesë e projektit do monitorohen një varg institucionesh duke përfshirë gjykatat, prokuroritë, policinë, Qendrat për Punë Sociale dhe institucionet të tjera përgjegjëse për ti trajtuar denjësisht rastet e tilla.

Ky proces monitorues ka për qëllim ta rrisë llogaridhënien e këtyre institucioneve gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore, si dhe të rrisë vetëdijen e qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë mbi rëndësinë e raportimit dhe të ofrimit të përkrahjes ndaj viktimave.

Njëkohësisht, të dyja rrjetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë për shkeljet institucionale që u janë bërë personave që kanë raportuar apo duan të raportojnë rastet e dhunës në baza gjinore tek institucionet përkatëse, duke na mundësuar kështu monitorimin e trajtimit të rastit të tyre nga institucionet përkatëse. Iniciativa eshte perkrahur nga Austrian Development Agency.