Rrëzohen Raftet e Arkivit në Pallatin e Drejtësisë (VIDEO)

Katër punëtorë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës kanë mbetur të lënduar nga rrëzimi i rafteve në dhomat e arkivës së kësaj Prokurorie në Pallatin e Drejtësisë.

Lëndime kanë marrë edhe kolegë të tyre, stafi i sigurimit dhe një pjestare e Policisë së Kosovës, të cilët i kanë nxjerrë dy nga të lënduarit nën rafetet e rrëzuara.

Katër prej të lënduarëve janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe pas trajtimit ata janë lëshuar për në shtëpi.

Sipas dëshmitarëve, rrëzimi i rafteve ka ndodhur rreth orës 15 dhe se për këtë është njoftuar edhe kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Ymer Beka.

Raftet nga të cilat janë lënduar të enjten punëtorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, janë vendosur aty vetëm një ditë më parë.

Në këto rafte janë vendosur lëndët të cilat deri para tri ditësh kanë qenë të mbylluara nëpër paketa, për shkak se ato janë bartur nga objektet e vjetra ku kanë qenë deri para zhvendosjes në Pallatin e Drejtësisë. Rrëzimi i këtyre rafteve ka nodhur pasi aty janë vendosur lëndët.

Siç shihet në pamje, këto rafte vetëm janë vendsour aty, por nuk janë të kapura për muret e dhomës së arkivës.

Që kur janë vendosur në objektet e Pallatit të Drejtësisë më 2 shkurt të këtij viti, problemet aty nuk kanë të ndalur për zyrtarët e Gjykatave dhe Prokurorive.

Mungesa e sistemit të ajrimit nëpër sallat e gjykimit ka çuar gjatë javës edhe deri në alivanosjen e një gjyqtareje.

Këto probleme me të cilat janë duke u ballafaquar stafi i Gjykatave dhe Prokurorive kanë shtyrë punonjësit që të hyjnë në grevë.

Ditë më parë KALLXO.com ka raportuar edhe për problemet nga rrjedhja e ujit në Prokurorinë e Apelit.