Pamje nga operacioni për rrënimin e një objekti të nisur pa leje në Vushtrri- Foto: KALLXO.com

Rrënohet Objekti i Nisur Pa Leje

Inspektorati komunal në këtë aksion u përkrah nga forcat policore.

I pari i Drejtorisë për Inspektime, Gëzim Saraqi, ka thënë për KALLXO.com se kanë qenë të detyruar ta bëjnë rrënimin e këtij objekti pasi që pronari i saj nuk i ka përfillur urdhrat e inspektoratit për ndalim të punës.

“Objekti në fjalë ka filluar të ndërtohet pa leje ndërtimi. Ne fillimisht ia kemi tërhequr vërejtjen që të mos vazhdojnë punimet. I njëjti nuk i ka përfillur urdhrat dhe ne sot kemi dalë t’i rrënojmë ato çka ky ka punuar”, ka thënë Saraqi.

Ndërkaq pronari Bedri Kutllovci, i cili ka filluar këtë ndërtim, ka thënë për KALLXO.com se ka bërë kërkesë për t’u pajisur me leje komunale mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

“Unë kam kërkuar leje komunale mirëpo nuk më është lejuar për shkak se prona ka qenë pronë bujqësore dhe jo pronë ndërtimore”, ka thënë Kutllovci.

Ai gjithashtu pretendon se është në vazhdimësi duke kërkuar ndërrimin e destinimit të pronës nga toka bujqësore në tokë ndërtimore dhe se u zotua se nuk do të punojë më pa leje ndërtimore.