Rrënohet në Tërësi Muri në Veri

Rreth një orë punë u janë dashur dy ekskavatorëve për të rrënuar pothuajse tërësisht murin e betontë, i ndërtuar në fillim të muajit dhjetor nga autoritetet lokale Mitrovicës Veriore.

Muri, i cili kishte ngritur tensionet, u rrënua pas një marrëveshjeje të arritur në orët e para të ditës së shtunë.

Marrëveshja është nënshkruar në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Kjo marrëveshje u arrit nën “lehtësimin” e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Pas rrënimit të murit, kryeministri Isa Mustafa në një konferencë për media falenderoi të gjithë personat e angazhuar në arritjen e marrëveshjes dhe zgjidhjen e këtij problemi brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.

Ai falenderoi sidomos qytetarët e Veriut të Mitrovicës për, siç tha, “sjelljen dinjitoze” gjatë kohës së rrënimit të murit.

Po ashtu, kryeministri tregoi se çështjen e murit e kishte diskutuar në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, por jo edhe me palën serbe në dy rundet e negociatave mes presidentëve dhe kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për çështjen e murit. Të gjitha raportet mund t’i gjeni në këtë link.