Rrënimi i themeleve të shtëpive në Hade - Foto: KALLXO.com

Rrënohen Themele të Shtëpive në Hade, Revoltohen Banorët

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndërmarrë sot një aksion të rrënimit të disa themeleve të shtëpive që sipas tyre janë ndërtuar pa leje në fshatin Hade.

Në një aksion të përbashkët me Komunën e Obiliqit dhe Policinë e Kosovës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit shkatërroi disa themele me gjithë revoltën dhe konfrontimin me banorët e këtij fshati.

Banorët e fshatit Hade tash e 12 vite janë duke pritur shpronësimin e tyre për t’i bërë vend nxjerrjes së qymyrit nga Korporata Energjetike e Kosovës për në lagjen e re në Shkabaj që është quajtur ‘Hadja e Re’.

Megjithatë, pas shumë vitesh pritjeje këtyre banorëve nuk po u lejohet të ndërtojnë as në fshatin ku banojnë tani e as në Haden e Re.

Sipas Bedri Halimit, drejtor i Inspektoratit të MMPH-së, ekziston vendimi për rrënimet e ndërtimeve që sipas tij janë pa leje.

“Është aksion i përbashkët me Komunën, Ministrinë e Ambientit dhe Policinë për ndalimin e ndërtimeve në zonën me interes të veçantë”, tha Halimi.

Mirëpo Ragip Grajçevci, banor i këtij fshati, thotë se këtyre banorëve nuk i është dhënë zgjidhje për jetesë nga asnjë prej institucioneve ku kanë dërguar kërkesa.

“Hadja është shpallë prej 2003/04 zonë me interes të veçantë dhe ne jemi dakordu me këtë ministri, me këta inspektorë të pistë që kanë ardhur sot këtu… Ne kemi bërë kërkesa edhe KEK-ut, Komunës, Ministrisë e Qeverisë e tash këtyre banorëve as nuk u lejohet në Shkabaj me ndërtu as më ndërtu këtu themel as shtëpi”, tha Grajçevci.

Pamje nga protesta e banorëve të Hades kundër rrënimit të themeleve të shtëpive - Foto: KALLXO.com
Pamje nga protesta e banorëve të Hades kundër rrënimit të themeleve të shtëpive – Foto: KALLXO.com

Zgjidhje për këta banorë nuk ka as Komuna e Obiliqit.

Sipas Përparim Klinakut, drejtor i Inspeksionit, nuk është në kompetencat e tyre për të gjetur zgjidhje për banim për banorët e Hades.

“Ne si Komunë nuk e kemi në kuadër të kompetencave tona, nuk varet prej neve se ku do të shkojnë dhe ku do të vendosen (banorët e Hades), është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tha Klinaku.

Në anën tjetër, Ali Mirena, një banor të cilit ia rrëzuan themelin e nisur të shtëpisë, nën emocione thotë se ka mbetur në rrugë qorre dhe paralajmëron konfrontim të dhunshëm me institucionet nëse vazhdon aksioni i rrënimit.

“Ne të gjithë jemi njerëz, kemi familje, kemi fëmijë, mua m’ka ardhë puna me u mytë me djem, ma mirë me u mytë me juve se me u mytë me djem të mi sonte”, u shpreh Mirena.

Çështja e shpronësimit të fshatit Hade dhe detaje të tjera rreth projektit për ndërtimin termocentralit “Kosova e Re” u trajtuan në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.