Mbledhja e KPK-së | Foto: KALLXO.com

Rregullorja e Mospajtimeve

Këshilli Prokurorial e miratoi këtë rregullore në mbledhjen e mbajtur më 27 maj, duke thënë se i ka shkruar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për të dhënë komentet, por nuk ka pranuar asnjë koment prej tij.

Ky këshill në reagimin ndaj medieve pas shkrimeve se rregullorja u miratua pa konsultim me to, edhe sot si në mbledhjen kur miratoi rregulloren, tha se ia ka dhënë mundësinë AGK-së të përfshihet në hartimin e saj.

“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për gjithëpërfshirje, Komisioni për Çështje Normative i KPK-së draftin e kësaj rregulloreje më 19.05.2016 e ka dërguar përmes emailit të kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (asociacion i cili përfaqëson komunitetin e gazetarëve të Kosovës), z. Zekria Shabani, me ç‘rast ka kërkuar që deri me datë 23.05.2016, të dërgohen komentet eventuale të Asociacionit lidhur me rregulloren,” sqarohet në reagim.

Më tutje KPK-ja bën me dije se “përkundër kësaj, Komisioni deri më datën 23.05.2016 nuk ka marrë asnjë përgjigje apo koment nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës”.

Por në kundërreagimin e AGK-së thuhet se KPK-ja e hartoi rregulloren pa konsultim me mediat dhe shoqërinë civile.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës informon opinion publik se asnjë nga pjesëtarët e AGK-së nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e Rregullores së Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit për Komunikim Publik. Ky institucion ka hartuar rregulloren në fjalë pa i përfshirë Gazetarët dhe Shoqërinë Civile gjë që e konfirmojnë edhe reagimet e shumta pas vendimit të Këshillit Prokurorial,” thuhet në kundërreagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve thotë se afati i përcaktuar nga Këshilli Prokurorial për dërgim të komenteve në lidhje me rregulloren ka qenë i papranueshëm.

“Afati i lënë në dispozicion për përgjigje ka qenë i papranueshëm duke marrë parasysh edhe faktin se AGK-ja po atë fundjavë i zhvillonte zgjedhjet e brendshme,” vijojnë fjalët e AGK-së.

Zgjedhjet për Bordin dhe kryetarin e Asociacionit u zhvilluan të shtunën më 21 maj.

http://kallxo.com/agk-ja-zgjedh-kryetarin-dhe-bordin/

Kur miratoi rregulloren KPK-ja më 27 maj , kryetari i komisionit për hartimin e kësaj rregulloreje Bahri Hyseni e pranoi se Këshilli Prokurorial ndoshta nuk mori komente pikërisht për shkk të këtyre zgjedhjeve.

“Është e rëndësishme se ne iu kemi drejtuar edhe te AGP-ja, nuk kemi marrë ndonjë koment, ndoshta edhe për faktin që i kanë pas zgjedhjet, tha atë ditë Hyseni.

http://kallxo.com/kpk-rregullore-per-komunikim-pa-pyetur-mediet/

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagimin e tij kërkon që rregullorja e KPK-së të shfuqizohet.

“AGK-ja konsideron se ka qenë e përjashtuar gjatë tërë procesit të hartimit të kësaj rregulloreje e cila duhet të shfuqizohet me një vendim të posaçëm për t’i përfshirë pastaj gazetarët dhe shoqërinë civile në hartimin e saj,” thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve.

Por Këshilli Prokurorial e mbron rregulloren e miratuar.

“Pjesë përbërëse të procesit të hartimit të kësaj rregulloreje kanë qenë strukturat përgjegjëse për komunikim të sistemit prokurorial dhe donatorë e  partnerë ndërkombëtarë të cilët e mbështesin punën e sistemit prokurorial,” sqaron reagimi i KPK-së.