Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Rrëfimi për të Shtënat në Kafene

Të akuzuarit për zënkën ku u përdorën edhe armët e zjarrit në lokalin “Erdonit” të Grackës së Lipjanit, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe avokatëve të tyre treguan se si ndodhi ngjarja e dhunshme.

Në këtë proces gjyqësor Besim Krasniqi akuzohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, Isak Musliu për armëmbajtje pa leje, Bashkim Beqaj për sulm dhe Hajredin Ahmeti për lëndim të lehtë trupor.

I akuzuari Bashkim Beqaj duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit se si ndodhi zënka e 20 majit të vitit 2013, tha se me disa shokë gjatë tërë asaj dite kishte qëndruar në bjeshkë, ndërsa në mbrëmje së bashku me ta kishte shkuar në lokalin ku ndodhi përleshja.

Lokali “Erdonit” është pronë e të akuzuarit Besim Krasniqi, ndërsa Bashkim Beqaj tregoi në gjykatë se si u plagos prej tij.

“Ne pasi qe kishim konsumuar alkool dhe ne lokal siç me kanë thanë e kisha thyer nje gotë, ka ardhur Besimi dhe me ka shtrënguar ne krah dhe me ka shajtur. Unë pasi që ia kam hequr dorën dhe e kam shtyrë, i njëjti e ka nxjerrë revolen dhe ka shti ne drejtim temin ku i kam marrë 4 plumba,” deklaroi i akuzuari Beqaj.

Ai më tutje rrëfeu se pas të shtënave edhe stafi i lokalit të drejtuar nga Besim Krasniqi, sulmoi të ulurit në tavolinën me të.

Haxhi Millaku, mbrojtës i të akuzuarit Besim Krasniqi, e pyeti Bashkim beqajn se të a ka pasë armë dikush nga të ulurit me të në tavolinë.

Beqaj tha se nuk e dinte a kanë pasur armë dikush nga shokët e tij dhe a ka përdorur dikush nga ta diçka kundër sulmeve të Besim Krasniqit dhe stafit të lokalit të tij.

“Unë nuk e di pse Besimi e ka bërë këtë,” tha Beqaj.

Edhe i akuzuari Hajredin Ahmeti tregoi rrëfim të ngjashëm.

“Pasi që kemi shkuar në lokal dhe kemi porositur pije, e di që pas pak ka ardhur pronari i lokalit Besim Kraniqi dhe është kacafytur me Bashkimin dhe për pak kam dëgjuar të shtëna armësh” deklaroi i akuzuari Ahmeti.

Ai shpjegoi se e mori një karrige për t’u mbrojtur pasi tha se “13 persona po i sulmonin me stupca”

“Pas kacafytjes unë e kam marrë një karrige për t’u mbrojtur dhe në ato momente Besimi ma ka drejtuar revolen dhe ka shkrepur në drejtim timin ku më ka plagosur, e ndoshta unë atëherë e kam goditur dikë,” tha Ahmeti.

Isak Musliu që akuzohet për armëmbajtje pa leje tha se ditën e 20 majit 2013 nuk kishte armë me vete.

“E di që në tavolinë ku kemi qenë diku 16 veta, Agimi dhe Bashkimi e kane thyer nga një gote dhe unë ju kam tërhequr vërejtjen se nuk është mirë me thyer në lokal,” kujtoi Musliu ngjarjen e para më shumë se tre vjetëve.

Edhe Musliu përsëriti rrëfimin e njëjtë se pas thyerjes së gotës nga Bashkim Beqaj, afër tij erdhi pronari i lokalit Besim Krasniqi dhe pastaj sipas tij u dëgjuan disa të shtëna.

“Besimi ka biseduar me Bashkimin dhe ndërkohë i kam dëgjuar një herë dy te shtëna, e mandej edhe disa të tjera,” tha Musliu.

I akuzuari Musliu mohoi se i kishte dhënë revolen të akuzuarit tjetër Bashkim Beqaj. “Unë nuk është e vërtetë që i kam dhënë revolen Bashkimit,” tha Isak Musliu.

Musliu tregoi se kishte shkuar në lokalin “Erdonit” i ftuar nga daja i tij për t’u parë e qëndruar bashkë, pasi tha se daja i tij do të shkonte të nesermen në Zvicër.

Musliu mohoi se ka pasur problem ndonjëherë me Besim Krasniqin.

“Unë si emër Besim Krasniqin e njoh, me të asnjëherë nuk kam pasur ndonjë te keqe, as unë e as familja ime,” tha Musliu.

Seanca tjetër e këtij gjykimi do të mbahet më 5 dhjetor kur do të jepet fjala përfundimtare.