Memoriali për të pagjeturit në Prishtinë

Rrëfimi i Babait për Djalin e Zhdukur në Luftë

Edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, 1,654 persona konsiderohen të pagjetur. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, konsiderojnë se moszbardhja e fatit të të zhdukurve po ndodh për shkak të neglizhencës së autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur, thotë për Radion Evropa e Lirë, se angazhimet në këtë drejtim nuk kanë munguar as gjatë këtij viti, por që rezultatet janë të pakta.

Ai thotë se për zgjidhjen e këtij problemi, vazhdimisht ka munguar vullneti politik i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare:

“Adresa kryesore për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është në Serbi. Por, Serbinë duhet ta shtyjë faktori ndërkombëtar, faj më pak nuk kanë as udhëheqësit kosovarë, të cilët nuk e shtyjnë sa duhet procesin”.

Ndryshe, tash e 18 vjet, Shaip Ramabaja, nga fshati Hajvali i Komunës së Prishtinës, kërkon një lajm për djalin e tij, Bashkimin 27 vjeçar, të zhdukur nga 22 prilli i vitin 1999.

Ramabaja shprehet i zhgënjyer me punën që kanë bërë autoritetet kompetente për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Ka vuajtur, është ndarë nga familja. Unë do të doja ta gjej ashtu siç është dhe nuk po them silleni të gjallë. Ta gjejmë së paku, bile ta di ku të drejtohem, një herë të shkoj te varri i tij. Nuk kam hapur dhe nuk mund të hap të pame [vizita për ngushëllime]. Kështu kemi mbetur të humbur”, thotë Ramabaja.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet shqetësim për familjarët e tyre.

Ai thotë se mbetet obligim dhe përgjegjësi e institucioneve që të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Gjetaj, i cili është edhe anëtar i delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët për të pagjeturit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, konsideron se Bashkimi Evropian duhet të jetë më këmbëngulës dhe ta detyrojë shtetin e Serbisë që të tregojë për vendndodhjen e varrezave masive.

“Ne jemi shumë të bindur dhe besojmë se ende ka varreza masive në Serbi. Mirëpo, pala serbe duhet të jetë më transparente më komunikative, i ka të dhënat, i ka informatat, i ka emrat e njerëzve të cilët kanë qenë të angazhuar për punë dhe detyra të caktuara në kohën e luftës, në veçanti për pastrimin e terrenit”, shprehet Gjetaj për Radion Evropa e Lirë.

Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit.

Ndryshe, nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2,500 persona, kurse të paidentifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore.