Rrahmani: Strategjia ka në Qendër Pacientin

Ministri Imet Rrahmani gjatë lansimit të Strategjisë Sektoriale për Përmirësimin e Shëndetësisë në Kosovë 2017-2021 tha se kjo strategji synon përmbushjen e kërkesave të pacientëve.

“Ministria e Shëndetësisë duke qenë e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka, do të ndikojë dhe punojë në hartimin e politikave dhe dokumenteve strategjike të cilat kanë për qëllim funksionimin e sistemit shëndetësor që në qendër ka pacientin dhe përmbushjen  e kërkesave të pacientëve në përgjithësi”, tha Rrahmani.

Edhe më 2 shkurt ministri Rrahmani e tha të njëjtën gjë gjatë publikimit të një sondazhi për qasjen e kosovarëve në shërbimet shëndetësore,

http://kallxo.com/81-per-qind-e-te-anketuarve-thone-se-nuk-u-duhet-mjeku/

Ambasadorja e Luksemburgut në Kosovë, Anna Dosert tha se strategjia do ta ndihmojë shëndetësinë e Kosovës.

“Aprovimi i strategjisë për shëndetësi tregon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës drejt përmirësimit të fazave të shëndetit të popullatës përmes një numri intervenimesh nga kjo strategji. Kompletimi i kësaj strategjie shënon një hap të madh dhe në fund suksesi juaj do të matet me atë sesa mirë do ta implementoni këtë strategji”, tha Dosert.

Mybera Mustafa, këshilltarja politike për çështje të shëndetësisë në kabinetin e Kryeministrit Mustafa, tha se strategjia sektoriale është në përputhje me dokumentet dhe prioritetet qeveritare.

“Kjo strategji reflekton prioritetet e qeverisë si Plani Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA), qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin e kapitalit njerëzor si dhe mirëqenien sociale të popullatës”, tha Mustafa.

Vendimi për Strategjinë Sektoriale në Shëndetësi 2017-2021 u miratua nga Qeveria e Kosovës më 14 dhjetor 2016.

Strategjia synon përmirësimin dhe shtimin e efektshmërisë së shërbimeve shëndetësore dhe ofrimin e këtyre shërbimeve grupeve të cenuara dhe të margjinalizuara në Kosovë.

Në Kosovë ende nuk ka sigurim shëndetësor, ndërsa gjatë vitit të kaluar Imet Rrahmani, ministri i Shëndetësisë kishte paralajmëruar se në 2017-ën do të nisë mbledhja e premiumeve-shumës së caktuar për blerjen e policave të sigurimit shëndetësor nga individët, ose organizatat.

Në ditën e fundit të vitit 2016 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për atë që e karakterizoi shëndetësinë vitin e kaluar.

Viti i Sëmurë

Redaktoi: Bekim Muhaxheri