ARKIV - Imet Rrahmani Foto: Gazeta JNK

Rrahmani: Sigurimi Shëndetësor Vitin e Ardhshëm

Në kohën e parashtrimit të pyetjeve parlamentare, deputetja e PDK-së Selvije Halimi e pyeti ministrin Imet Rrahmani se kur do të fillojë zbatimi i sigurimit shëndetësor në Kosovë, pasi sipas Halimit, ai ishte premtim parazgjedhor.

Ministri Rrahmani, duke iu përgjigjur pyetjes, tha se ky sigurim do të fillojë së zbatuari në vitin 2017.

Ndërsa deputetja e “Vetëvendosjes” Besa Baftiu kërkoi të dijë nga ministri Rrahmani se çfarë ka ndërmarrë ministria në lidhje me ata persona që po i keqpërdorin aparatet spitalore.

“Gjatë kësaj periudhe 1-15 shtator, ku qytetarët kanë pas nevojë për stendim është dashtë të shkojnë në spitale private. Ata që kanë pare kanë shkuar në spitale private e ata që s’kanë pasur e kanë paguar me jetë,” tha deputetja Baftiu.

Ndërsa Rrahmani kërkoi prej Baftiut që të sjellë argumente për këto që po i thotë.

“ Nëse ju keni argument për abuzime, ne kishim pas qef që ato t’i dërgoni në organet kompetente, ose tek ne si ministri. Ju e di e dini që e kemi kalu marrëveshjen për kredi dhe e dini që shumë shpejt klinika kardiologjie do të vazhdojë me kushte krejt tjera. Gjithë ata që s’kanë mundur të marrin shërbime në këta 2 muajt e fundit apo dhe në orë të vona, ne kemi buxhetin dhe metodën që në kohë rekorde t’i dërgojmë dhe t’i mjekojmë,” u përgjigj ministri Rrahmani.