Rivotimi Dështon të Zgjidh Betejën për Pushtet

Pavarësisht fitores së opozitarëve socialdemokratë LSDM në rivotimin e së dielës në fshatin Tearcë në Maqedoni, numri i vendeve që secili nga blloqet fitoi në zgjedhjet e 11 dhjetorit mbetet i njëjtë. partia VMRO DPMNE në pushtet ka fituar 51 deputetë dhe LSDM 49 në parlamentin 120-anëtarësh.

Opozita ka fituar 245 vota në Tearcë dhe partia në pushtet ka fituar vetëm 150.

Kjo nuk ishte e mjaftueshme për të thyer një diferencë prej 304 votash në njësinë e gjashtë zgjedhore ku ndodhet Tearca, që do të kishte mundësuar që të partitë të kenë nga 50 deputetë në parlament.

Të dy partitë kanë përsëritur se janë fituesit e vërtetë të zgjedhjeve dhe si të tillë do ta formojnë qeverinë e ardhshme.

“Kjo ishte një votë simbolike. Njerëzit e Tearcës, si pjesa tjetër e votuesve maqedonas, votuan për ndryshim dhe një të ardhme më të mirë, pavarësisht nga presionet që ishin të pranishme,” tha deputeti i LSDM-së Petre Shilegov. Ai shtoi se LSDM-ja do ta formojë qeverinë e ardhshme.

Partia qeverisëse VMRO DPMNE, e cila fillimisht tha se do të bojkotojë rivotimin duke e parë si një përpjekje për të vjedhur fitoren e saj, tha se përpjekja kishte dështuar.

“Si fitues [të përgjithshëm]në zgjedhje, ne mbetemi të angazhuar për hapat e ardhshëm në formimin e një qeverie të re,” tha partia në pushtet në një njoftim për shtyp.

Për të formuar një shumicë të qëndrueshme në parlament e të paktën 61 deputetëve, të dyja partitë kryesore tani kanë nevojë për mbështetjen e një ose mundësisht dy partive etnike shqiptare që kanë hyrë në parlament.

Në një takim këtë fundjavë Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI që fitoi 10 vende dhe partia opozitare shqiptare Lëvizja për reforma që fitoi tre, ranë dakord për kërkesat që do t’u paraqesin homologëve të partive më të mëdha në Maqedoni.

Këto ishin: status zyrtar të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, zgjatjen e punës së Prokurorisë Speciale, e cila heton krimin e nivelit të lartë, veprime në prioritetet e kërkuara nga BE për reforma, një shpërndarje të drejtë të buxhetit të shtetit përgjatë vijave etnike dhe vendimmarrjes konsensuale në të gjitha çështjet e rëndësishme.

BDI, e cila kaloi tetë vjet në qeveri me VMRO DPMNE, gjithashtu la të kuptohet se nuk do të përjashtonte bisedime mbi një qeveri me LSDM-në opozitare.

“Besa”, parti e opozitës, e cila fitoi shtatë vende dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, e cila fitoi dy, nuk pranuan ftesën e BDI-së për bisedime të përbashkëta.

Megjithatë “Besa” e PDSH lanë të kuptoht se kanë kërkesa të ngjashme, duke përfshirë që të mos përfshihen në qeverinë e ardhshme njerëzit që janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale. Kjo do ta eliminojë liderin e VMRO DPMNE Nikola Gruevski.

Tash kur votimi përfundimisht është kryer, parlamenti i ri dfuhet ta mbajë mbledhjen inauguruese deri më 31 dhjetor.

Presidenti Gjorge Ivanov ka afat deri më 9 janar të dorëzojë mandatin për formimin e një qeverie të re te njëri nga dy liderët e partive kryesore, Nikolla Gruevski apo Zoran Zaev.

Pasi njëri nga ta ta dëshmojë se ka shumicën në parlament, parlamenti ka afat deri më 16 shkurt për ta votuar qeverinë e re.