ARKIV - Zgjedhjet 2017 | Foto: Atdhe Mulla

Rinumërimi i Votave e Lë Ministrin Jashtë Kuvendit

Rinumërimi ka treguar se në vend të Rrahmanit, në listën e koalicionit LDK-AKR ulësen e deputetit e ka marrë Naser Osmani i LDK-së.

Menaxheri i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, raportoi sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ecurinë e rinumërimit të 118 kutive të votimit.

“Naser Osmani ka fituar mandat dhe Imet Rrahmani ka humbur mandatin e deputetit pas rinumërimit të kutive te votimit në koalicionin LDK-AKR”. tha Burim Ahmetaj.

Nuk ka pasur shumë diferenca prej rezultateve të mëhershme. Pas rinumërimit nuk ka ndryshime ndërmjet votave të partive politike por ka në votat e kandidatëve për deputetë”, shtoi ai

Në një kuti votimi, kandidati i koalicionit PDK-AAK-NISMA, Muharrem Nitaj ka marrë 50 vota pas rinumërimit ndërsa në rezultatet e shpallura nga KQZ, në këtë kuti ai nuk kishte pasur asnjë votë.

Në dy raste tjera, kandidati i PDK-AAK-NISMA, Elmi Reçica në një kuti votimi ka marrë 35 vota ndërsa ë rezultatet e shpallura javën e kaluar atij i figuronte vetëm një votë.

Ndërsa për kandidatin e koalicionit LDK-AKR, Lutfi Zharku, rinumërimi i ka nxjerrë 35 vota në një kuti votimi në të cilën ai më parë kishte vetëm 1 votë.