Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Rihapet Gjykimi për Grabitjen e 12,000 Eurove nga Çanta

Gjykata nuk e ka shpallur sot aktgjykimin për rastin e grabitjes së 12 mijë eurove në Gjakovë pasi që e dëmtuara Vlora Zeka ka sjellë prova të reja që do të administrohen.

Këto prova, sipas kryetarit të trupit gjykues, Shaqir Zika, janë të lidhura ngushtë me kualifikimin e veprës penale për të cilën akuzohen Mentor Dedaj, Manol Dedaj dhe Nikollë Prenkaj.

“Është shumë me rëndësi rreth kualifikimit të veprës edhe rreth kompensimit apo jo të dëmit edhe e kemi pa të arsyeshme që me rihapë gjykimin, me i eliminu këto të meta tash sesa me u kthy lënda në rigjykim”, tha gjyqtari Zika.

Prokurorja e kësaj çështjeje, Shpresa Bakija, nuk e kundërshtoi vendimin e gjykatës për rihapje të procedurës për administrimin e provave të paraqitura nga e dëmtuara.

“Sa i përket rihapjes së seancës, pajtohem me vendimin e gjykatës”, tha prokurorja Shpresa Bakija

As mbrojtësit e të akuzuarve nuk e kundërshtuan këtë vendim të trupit gjykues.

Ndërkaq, seanca e këtij shqyrtimi është shtyrë për të hënën, pasi në gjykatore nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i të akuzuarit Manol Dedaj, avokati Flamur Kelmendi.

“Në këtë rast avokati i të akuzuarit Manol nuk ka ardhë dhe s’kemi kushte për mbajtjen e këtij shqyrtimi”, tha gjykatësi.

Gjatë seancës së djeshme është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

http://kallxo.com/gjykimi-per-grabitjen-e-12000-eurove-nga-canta-e-nje-gruaje/