Rigjykohet Boshnjaku që Sulmoi Ambasadën Amerikane

Këshilli i Apelit në Gjykatën Shtetërore të Bosnjës më 11 korrik, anuloi vendimin e 6 dhjetorit me të cilin Mevlid Jahsareviq u dënua me 18 vjet burg për kryerje të sulmit terrorist, kur qëlloi drejt  ndërtesës së Ambasadës Amerikane në Sarajevë, në tetor të vitit 2011.

Gjykata e Apelit urdhëroi gjykim të ri nën arsyetimin e shkeljeve të rënda gjatë gjykimit të parë.

Mbrojtësi i Jashareviqit, Senad Dupovac tha që gjatë rigjykimit do të insistojë që klienti i tij të mos ngarkohet me akuzën e terrorizmit, por shtoi se Jashareviq mund ta pranojë fajësinë për të shtënat.

 “Unë isha duke pritur një vendim të tillë dhe të gjithë kolegët më thanë se ai vendim do të merret”, theksoi Dupovac.

Sipas raportimit të medieve rigjykimi nuk do të përfshijë ndihmuesit e Jashareviqit gjatë kryerjes së sulmit Emrah Frojnica-n dhe Munib Ahmetspahiq-in, të cilët gjatë gjykimit të parë u shfajësuan.

Prokurori i shtetit Dubravko Campara të enjten tha se vendimi për rigjykim nuk do të thotë që Jashareviq mund të lirohet nga burgu.

Gjykata dënoi Jashareviqin me 18 vjet burg për sulmin në Ambasadën Amerikane në Sarajevë, më 28 tetor 2011.

Gjykata e shpalli fajtor Jashareviqin për sulm terrorist, pasi ai qëlloi për 50 minuta në drejtim të ambasadës, duke shkrepur 105 plumba që plagosën një polic-roje të ambasadës dhe kërcënuan zyrtarët e përfaqësisë amerikane në Sarajevë.

Fojnica dhe Ahmetspahiq u ngarkuan si bashkëpunëtorë të Jashareviqit dhe pjesëtarë të të njëjtës organizatë terroriste. Por ata u shfajësuan në përfundim të gjykimit për mungesë provash të përfshirjes së tyre në sulm.

Jashareviq, i lindur në Serbi, në vitin 1988, jetoi me familjen  e tij edhe në një fshat të Bosnjës Verilindore, para se të vendoset në Sarajevë për ta kryer sulmin.

Fshati Gornja Maoca ku jetoi Jashareviq konsiderohet bastion i lëvizjes radikale islame Wahhabi.