Pamje nga seanca gjyqësore ndaj Xhavit Bicajt (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Rigjykim ndaj Xhavit Bicajt për konkursin në QKUK

Gykimi ndaj Xhavit Bicajt që u dënua nga shkalla e parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me pretendimin se i ka dërguar pyetjet me përgjigje dy kandidatëve për drejtorë të njësive të QKUK-së, është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit.

Në nëntor të vitit 2017, Bicaj u dënua me një vit burg, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Por, pas ankesës së vet të akuzuarit Xhavit Bicaj, Gjykata e Apelit ka kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e shkallës së dytë përmes së cilit tregohen arsyet e kthimit të çështjes penale në rigjykim.

Sipas këtij aktvendimi, bëhet e ditur se i akuzuari Bicaj nuk ka theksuar bazuar ankimore sipas dispozitave ligjore, por që nga përmbajtja është kuptuar se bëhet fjalë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Bicaj ka propozuar që ankesa e tij të aprovohet dhe aktgjykimi të ndryshohet dhe ndaj tij gjykata ta pushojë procedurën penale.

Ndaj këtij propozimi, prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar.

Por, sipas aktvendimit, pasi Gjykata e Apelit ka shqyrtuar të gjitha shkresat e kësaj çështjeje juridiko- penale, ka gjetur se aktgjykimi duhet anuluar dhe lënda duhet kthyer në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Gjykata vetëm ka listuar provat materiale dhe jomateriale të administruara në shqyrtimin kryesor, por pa asnjë arsyetim të këtyre provave se çka provojnë secila prej tyre veç e veç dhe ndërlidhjen e tyre në mes vete për të ardhur deri tek një përfundim i një vërtetimi të qartë dhe të plotë të gjendjes faktike. Ky konstatim i gjykatës është i pamjaftueshëm dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë, andaj, gjykata e shkallës së parë në righykim duhet që secilën provë ta analizojë dhe të japë arsye se çka provoj e njëjta dhe pastaj këto arsye ti ndërlidhë me njëra tjetrën dhe pastaj të vjen deri në një gjendje faktike të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë”, thuhet në aktvendim.

Pra, sipas shkallës së dytë, nuk mund të vërehen se cilat ishin veprimet konkrete të të akuzuarit Xhavit Bicaj në drejtim të kryerjes së veprës penale.

Më tej, aktvendimi i Apelit thekson se me rastin e kthimit në rigjykim, shkalla e parë duhet të vlerësojë edhe nevojën e caktimit të ndonjë eksperti të teknologjisë informative.

“…për të përcaktuar se nga cila pajisje kompjuterike është përcjellë e- maili, a është pranuar e- maili nga dëshmtarët Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, kohën e dërgimit dhe kohën e hapjes së këtyre e- maileve, të gjitha këto për të vërtetuar pretendimin e të akuzuarit se ai nuk i ka dërguar këto e- maile, si dhe pretendimin e këtyre dy dëshmitarëve se njëri e ka hapur këtë e- mail pas përfundimit te testit dhe tjetri se nuk e ka pranuar fare, si dhe faktin se me një veprim të tillë kujt i është shkaktuar dëm”, sqarohet më tej në aktvendim.

Vepra e pretenduar sipas aktakuzës ka ndodhur më 31 korrik dhe 3 gusht 2014.

Duke qenë anëtar i Komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, Bicaj akuzohet se ua ka dërguar pyetjet me përgjigje të sakta dy prej kandidatëve, dr. Sonja Blakajt dhe dr. Ramë Miftarit.

Në seancën e mbajtur në muajin shkurt të vitit 2017, Xhavit Bicaj e quajti “montim” rastin ndaj tij.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.