Rexhep Selimi - Foto: KALLXO.com

Rexhep Selimi Sqaron Komunikatat e UÇK-së në Gjykimin e Limajt

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili po akuzohet për krime lufte, tha se komunikata që merrte përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ka njollosur familjet dhe UÇK-në.

Rexhep Selimi kontestoi komunikatën e cila në emër të Drejtorisë së Policisë Ushtarake e merrte përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve më 2 tetor 1998.

Ai tha se kjo komunikatë përmban shumë pasaktësi.

Më e rëndësishmja, tha ai, është se në atë kohë nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake.

Selimi tha po ashtu se kjo komunikatë nuk është e vetmja.

“Këtë komunikatë e kontestoj sepse përmban pasaktësi esenciale. E para është që më datën kur është botuar komunikata nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake, e dyta pasaktësi është numri katër (4) i komunikatës. Unë nuk e di se cila ka qenë komunikata me numër tre (3) apo pesë (5). Po ashtu pasaktësia tjetër është përmbajtja  e tekstit”, theksoi ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Më tej, Rexhep Selimi, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha se nuk e di se kush e ka shkruar këtë komunikatë. “Por, jam unë ai i cili e demantoj këtë komunikatë në emër të UÇK-së”, tha njëri prej komandantëve kryesor të UÇK-së.

“Drejtoria e Shërbimit e Policisë Sekrete që shkruhet në komunikatë them se as nuk ka pasur Drejtori të Shërbimit e as Polici Sekrete, prandaj kjo është një pasaktësi tjetër që e demanton këtë komunikatë”, shtoi ai.

Sipas Rexhep Selimit, kjo nuk është komunikata e vetme e cila kontestohet. “Mund të ju sjell edhe dy komunikata të tjera që kanë pasaktësi. Madje, në vitet e mëhershme të organizimit të UÇK-së ka pasur komunikata të cilat i ka demantuar vet Shtabi i Përgjithshëm. Dua të them se kjo nuk është komunikata e parë me pasaktësi”, shtoi ai.

Lidhur me viktimat Ramiz Hoxha e Selman Binishi, dëshmitari Selimi tha se nuk i konsideron dhe nuk kanë qenë ashtu siç përshkruhen në komunikatë. “Këtë e them nga pozicioni i tanishëm sepse më herët nuk kam pasur njohuri”, shtoi ai.

“Nw kwto raste tw izoluara, jemi njollosur dy palwt, edhe ju si familjarë edhe ne si pjesëtarw tw UÇK-s[“, theksoi Selimi.

http://kallxo.com/rexhep-selimi-konteston-komunikaten-qe-merrte-pergjegjesine-per-vrasjen-e-civileve/

Rexhep Selimi ka përfunduar dëshminë e tij.

Atij nuk i bënë pyetje as avokati as i akuzuari Fatmir Limaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i Fatmir Limajt në rastin “Bellanica”. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.