Rexhep Selimi: As Avokatë të Gulenit, as Xhandarë të Erdoganit

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar në seancën e jashtëzakonshme për deportimin e gjashtlë shtetasve turq se “ne nuk kemi nevojë të bëhemi as avokatë të Gulenit, e as xhandarë të Erdoganit”.

“Tash dilemat e ditës së parë të rrëmbimit të gjashtë shtetasve turq u hoqën sepse dolën njerëzit të cilët e morën përsipër se kush e ka bërë, kush e ka urdhëruar madje po vazhdojnë të marrin edhe merita. Dhe ata njerëz që e kanë marrë këtë përgjegjësi janë presidenti dhe institucionet përkatëse, në këtë rast AKI dhe Policia e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Por sipas Selimit ende nuk është bërë e qartë se çfarë i kemi pasur borxh, dhe kush i ka pasur borxh dikujt që të bëhen veprime të tilla.

“Në fakt është e vërtetë që Thaçi ka shumë borxhe për shkak se ka bërë shumë pazare por mos harroni se Thaçi lan edhe borxhe me koka njerëzish nganjëherë dhe mos u çuditni nëse edhe në të kaluarën e ka bërë këtë, mos u çuditni edhe nëse në të ardhmen e bën një gjë të tillë sepse tashmë ai shquhet për këtë”, ka theksuar Selimi.

Rexhep Selimi ka thënë se atë ditë është parë që shteti ka rënë.

“E kemi borxh ta themi që ky shtet tash nuk po funksionon dhe këtë nuk po e themi vetëm ne opozita. Rrëmbimi i shtetasve turq tregoi që kredibiliteti i shtetit tashmë ka rënë”, ka thënë Selimi.