Restelica Katër Vjet Pas Ortekut të Borës

Në ditën kur janë bërë katër vjet nga tragjedia në Restelicë të Dragashit, banorët ndihen të harruar nga institucionet komunale e qendrore.

Orteku i borës kishte mbuluar disa shtëpi të familjes Reka, më 11 shkurt 2012, u mori jetën 10 anëtarëve të kësaj familjeje, ndërsa vajza e vogël Amsera, atëherë 7 vjeçe, ishte nxjerrë e gjallë nga gërmadhat e shtëpisë.

Amsera ishte zhvendosur fillimisht te të afrmit e saj në Prizren, ndërsa banorët thonë se tani ajo gjendet në Itali, pasi që ka shtetësi italiane.

Në ditët e para pas tragjedisë, Presidentja Atifete Jahjaga i kishte ndarë Amserës një fond prej 10 mijë euro.

Sot, pas 4 viteve, bora sërish kishte mbuluar këtë fshat të thellë të rajonit të Gorës ndërsa disa nga shtëpitë e shkatërruara atë ditë të kobshme kanë mbetur në gjendje të njëjtë.

Në lagjen Reka, e cila gjendet në majën më të lartë të fshatit Restelicë nuk banon më askush.

Rruga e cila çon në shtëpinë e familjes Reka ishte edhe sot zor e kalueshme.

Velid Haxhisini, familjar i Amsera Rekës, dhe këshillat në asamblenë komunale të Dragashit, tha për KALLXO.com, se edhe sot pas 4 viteve, nuk është investuar asgjë në këtë fshat  për parandalimin e ortekëve të borës.

Sipas tij, sot banorët e kësaj lagje nuk jetojnë në këtë pjesë, nga frika se mundet të paraqitet prapë ndonjë ortek tjetër gjatë dimrit.

Te qytetaret ekziston frika për të jetuar në këtë lagje, ndërsa qytetaret kanë vënë me vetë iniciativë disa mbrojtje që, sipas tij, janë primitive dhe nuk e mbrojnë ortekun.

“Ekziston ajo frika te qytetarët, nuk munden  me jetu qysh kanë jetu në rehati. Kemi ndërmarrë disa aksione për me mbrojtjen në atë vendin ku ka ndodhur orteku, por ato janë primitive, nuk durojnë shumë…ato janë të diskutueshme, se sa e mbajnë ortekun eventual. Ishalla nuk ndodh”, thotë Haxhisini.

Ai njëjti tha se qeveria nuk ka investuar fare në këtë drejtim edhe pas 4 viteve që kanë kaluar nga tragjedia e Restelicës.

“Pikërisht në atë vend ku ka ndodhur orteku shumë pak ka investuar bile për qeverinë mundem me thanë bile aspak nuk ka investuar”, u shpreh ai.

Një banor tjetër i Restelicës, Himt Xhinxha, i cili katër vjet më parë kishte ardhur për të ndihmuar në gërmime pas tragjedisë  tha se në momentin kur kanë ardhur, nuk kanë mundur t’i afrohen shtëpive për shkak se të gjitha kanë qenë të mbuluar nga bora.

“Orteku ka ra herët në mëngjes dhe ne kur kemi dëgjuar kemi ardhë këtu nga fshati, por nuk kemi pasur mundësi me ju afru shtëpive, sepse krejt këtë vend që po e shihni, ka qenë i mbuluar me borë”, tha ai.

[interaction id=”56bd9ac43c42ab681c7387e6″]