Radovan Karaxhiq në fillimin e gjykimit të tij në Hagë në vitin 2011 | Foto: ICTY

Republika Serbe Jep 10 Mijë Euro për Karaxhiqin e Mlladiqin

Entiteti serb i Bosnjës, Republika Serbe, të enjten dha 20,000 KM (rreth 10, 000 euro) për banorët e saj që janë nën arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe akuzohen për krime lufte.

Përfituesit kryesorë të kësaj ndihme janë Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq, të dy të dënuar në shkallën e parë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Qeveria e Republikës Serbe vitin e kaluar dha të njëjtën shumë për ekipet mbrojtëse të Karaxhiqit dhe Mlladiçit.

“Metoda, kriteret dhe kushtet për përdorimin e ndihmës financiare individuale do të përcaktohen nga një rregullore e veçantë, e cila me pëlqimin e Ministrit të Drejtësisë të entitetit do të miratohet nga Qendra e Republikës për Hulumtime Lufte dhe Kërkimin e Personave të Zhdukur,” tha Qeveria e Republikës Serbe.

Gjykata e Hagës e dënoi Karaxhiqin në një vendim të shkallës së parë në mars 2016 për gjenocid në Srebrenicë, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën, për terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimi dhe sulmet me snajperë dhe për marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Nëntorin e kaluar, e njëjta gjykatë në një vendim të shkallës së parë e dënoi Mlladiqin për të njëjtat krime – për gjenocid në Srebrenicë, përndjekjen e kroatëve dhe boshnjakëve në të gjithë Bosnjën, terrorizim të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Gjyqtari Theodor Meron, kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, i cili mori përsipër raste të papërfunduara nga ICTY, ka thënë se vendimi përfundimtar në rastin e Karaxhiqit pritet në fund të vitit 2019.

Në rastin e Mlladiqit data nuk dihet ende.