Marjan Dema, rektor i UP-së - Foto: KALLXO.com

Rektori Marjan Dema Merret në Pyetje nga Hetuesit

Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës ka filluar hetimet pas hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë” për rastin e Rozafa Koliqit, të cilës i është mohuar e drejta për t’u zgjedhur asistente në departamentin e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë.

Policia nuk dha detaje për këtë rast, për shkak të ecurisë së hetimeve.

“Lidhur me kërkesën në fjalë, ju njoftojmë se rasti tani është në fazën e hetimeve paraprake dhe konsiderojmë se përgjigjja në pyetjet e parashtruara mund të dëmtojë zhvillimin e hetimeve”, tha Policia në një përgjigje për KALLXO.com.

KALLXO.com ka siguruar procesverbalin mbi intervistimin e rektorit Marjan Dema në të cilin shihet se zyrtarët hetues të krimeve ekonomike kanë njoftuar rektorin për të drejtat e tij në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Ju jeni të detyruar të dëshmoni. Ju jeni të detyruar të tregoni të vërtetën. Nëse ju nuk e tregoni të vërtetën ju mund të ndiqeni sipas nenit 390 ose 391 të Kodit Penal…”, thuhet në mes tjerash në këtë procesverbal të Policisë së Kosovës.

Rektori është intervistuar më 15 mars 2017. Intervistomi kishte filluar në prën 13:00.

Intervistimi i tij në cilësinë e dëshmitarit ka ardhur disa ditë pas publikimit të një hulumtimi të emisionit “Jeta në Kosovë” mbi avancimet e dyshimta në Fakultetin e Mjekësisë.

Avansimet në Mjekësi

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e Rektoratit për paraqitjen e rektorit në Polici.

Prorektori Afrim Hoti edhe pse premtoi një përgjigje, krejt në fund udhëzoi gazetaren të flasë me avokatin mbrojtës të rektorit.

“Të lutem, për çështjet e procedurave gjyqësore kontakto me avokatin Musa Dragusha”, ishte përgjigja e prorektorit Hoti.

E Musa Dragusha, avokati mbrojtës i Rektorit e pranoi që rektori është dëgjuar nga zyrtarët policorë për rastin e Rozafa Koliqit.

“Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, është dëgjuar më datën 15.3.2017 nga zyrtarët policor në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje pra në procedurën parapenale. Pra ai në këtë cilësi e ka dhënë dëshminë lidhur me rrethanat që ndërlidhen me paraqitësen e rastit Rozafa Koliqi”, tha avokati Dragusha.

 

E pak më vonë, avokati Dragusha tha se Rektori dhe zyrtarët e UP-së janë në një proces të hetimit që është duke u zhvilluar nga Policia e Kosovës

“Rektori i Universitetit si dhe zyrtarë të tjerë janë në një proces të hetimit që është duke e zhvilluar njësia e Policisë së Kosovës ndërlidhur me veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 dhe cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 i Kodit Penal të Kosovës”, tha Dragusha për KALLXO.com.

Dragusha tha se për rastin e Rozafa Koliqit nuk janë hapur zyrtarisht hetimet për arsye se prokurori i çështjes akoma nuk ka marrë vendim mbi zhvillimin e hetimeve ashtu siç është e paraparë me Kodin e Procedurës Penale.

Veprat penale keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar dhe cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë janë parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoriteti zyrtar parasheh dënim me burg prej 6 muaj deri në 5 vjet ndërsa vepra penale, cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë parasheh dënim me gjobë ose burg deri në dy vite.

Javë më parë, emisioni Jeta në Kosovë ka raportuar për avansimin e asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky hulumtim ka sjell rrëfimin e kallxueses, Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, e cila nuk ka lënë derë institucionale pa kërkuar të drejtën e saj që i është mohuar nga Senati i Universiteti të Prishtinës.

Hulumtimi pati sjellë edhe dokumente e fakte të nënshkruara nga Rektori i UP-së, Marjan Dema, për të cilat Agjencia Kundër Korrupsion ka deponuar fakte në Departamentin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës.

Viti i Marjan Demës në UP

Për këtë çështje, emisioni Jeta në Kosovë pati intervistuar edhe Rektorin e UP-së, Marjan Dema, i cili pati folur edhe për nënshkrimin e dy vendimeve për Rozafa Koliqin dhe procedurën e zgjedhjes së asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë.