Senati i UP-së, Foto: KALLXO.com

Rektori Dema Kërkon 'Frymën e Skënderbeut' Edhe në Ditët e Sotme

Universiteti i Prishtinës ka organizuar një mbledhje solemne për nder të 550 të vdekjes së Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ku morën pjesë jo vetëm senatorët por edhe me menaxhmenti dhe administrata e UP-së.

Rektori i UP-së, Marjan Dema bëri thirrje që të dominojë fryma e Skënderbeut edhe sot, ku interesi i përgjithshëm të vijë përpara atij personal.

“Skënderbeu ishte figurë e rrallë, nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkalle të lartë. Ai në atë kohë kishte status të privilegjuar me grada në Perandorinë Osmane por nuk i bënë përshtypje ato. Le të frymojë edhe në kohën tonë fryma kastriotiane të dominojë interesi i përgjithshëm kundrejt atij personal”, theksoi Dema.

Në vazhdim të mbledhjes foli edhe studiuesi i historisë mesjetare, Muhamet Mala, i cili tha se Skënderbeu është një ndër personalitetet e rralla që kanë lënë gjurmë në histori.

“Përmes tij shqiptaret në sytë e popujve të tjerë fituan namin që nuk e kanë pasur kurrë. Mos të ishte nami i tij harta fetare siç thotë edhe Kadare nuk do të ishte ajo që është sot. 550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut festohet sepse personalitete si ai vazhdojnë të reflektojnë në histori edhe sot”, ka thënë profesori Mala.

Ai më tej vazhdoi duke thënë se edhe pse Skënderbeu nuk arriti t’i shpëtoj shqiptarët nga Perandoria Osmane lufta e tij ishte ushqim shpirtëror për të gjithë shqiptarët.

Viti 2018 është shpallur “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” nga kryeministri i Sjqipërisë, Edi Rama për nder të 550 vjetorit të vdekjes së heroit të shqiptarëve.